Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se vendi tashmë ka kaluar në fazën e dytë të pandemisë

Hoti ka kërkuar aktivizimin e planit të reagimit kombëtar, për furnizim me barna, ujë dhe energji dhe të tjera.

“Nuk është që ka munguar deri tash ujë e rryma, por duhet një reagim për planin kombëtar, pasi situata është shqetësuese me Covid-19”, tha Hoti në mbledhjen e qeverisë.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj gjatë informimit të qeverisë për zbatimin e vendimeve të Qeverisë lidhur me masat anti-Covid-19, ka thënë se duke parë rritjen e shpejt të të infektuarve me virusin Covid-19 janë shtuar kapacitetet spitalore, duke aktivizuar edhe klinika të tjera për trajtimin e qytetarëve me virus.

Me mobilizim të aktiviteteve spitalore, ai tha se aktualisht janë 700 shtretër për trajtimin e rasteve me Covid-19.

Ai në fund ka kërkuar zbatimin e masave të qeverisë për parandalimin e Covid-19.

Në mbledhjen e Qeverisë sot po ashtu është shqyrtuar raporti gjashtëmujor i buxhetit 2020, ku sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, në këtë periudhë ka një rënie të të hyrave buxhetore prej 11 për qind si pasojë e pandemisë.