Kryeministri Edi Rama përjashtoi të martën mundësinë e rikthimit të vendosjes sërish të karantinës, por paralajmëroi se nëse situata nuk do të përmirësohet për sa i përket prirjes së epidemisë, mbyllja nuk do të shmanget.

“Nëse do të vazhdojmë kështu, fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe të përballojmë edhe njëherë pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë, por nuk dua ta zgjas me këtë, sepse kam bindjen se ende e kemi në dorë ta kontrollojmë situatën,” – tha Kryeministri duke shtuar se pas konsultimit nuk do të lejojë më grumbullime të njerëzve, qoftë dhe për grumbullime politike.

Kreu i qeverisë paralajmëroi bizneset që të respektojnë protokollet e sigurisë shëndetësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit, pasi në të kundërtën do të përballen me sanksione deri dhe në heqje të lirisë. Nga ana tjetër shtoi se do të ndalohet çdo grumbullim, qoftë dhe politik.

“Nuk do të lejojmë më asnjë grumbullim, qoftë dhe politik. Grumbullime më shumë se sa numri i lejuar nga protokollet e sigurisë nuk do të lejohen më. Policia e Shtetit duhet dhe do të bëjë detyrën kudo qoftë në çdo km të Republikës së Shqipërisë. Kush merr pjesë në grumbullime do të penalizohet drejtpërdrejtë individualisht. Bizneset që nuk respektojë protokollet e sigurisë nuk do të tolerohen më. Përveç gjobës rrezikojnë dhe heqjen e lirisë nëse kapen në shkelje”, tha Kryeministri.

“Kush thotë akoma ç’është kjo luftë, ç’është ky virus, nuk ka ditur asnjëherë se çfarë flet por sot që të gjithë po e shohin se si po rriten numrat, duhet minimalisht të heshtë dhe të zbatojë rregullat si të gjithë të tjerët. Virusi nuk ka këmbë por përdor këmbët e budallallëkut njerëzor dhe për budallallëkun nuk ka rrugë tjetër veç tolerancës zero për këdo që e shfaq dhe për kudo që ai i shfaqet në krah,” – tha Rama për njerëzit që ende shfaqen skeptik për sa i përket ekzistencës dhe përhapjes së pandemisë në Shqipëri.