Vetëvendosje, që udhëheq Qeverinë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk pajtohet assesi me vendimin e Kushtetueses që i dha të drejtë LDK-së të formojë qeverinë e re.

Nga Zyra e Kryeministrisë, Kurti ka shkruar në Facebook se Gjykata Kushtetuese nuk e ka interpretuar, por e ka rishkruar Kushtetutën, sikur të mos kishte fare fitues të zgjedhjeve,

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijesuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm”, ka shkruar kryeministri në detyrë, Kurti.

Tutje Kurti ka shkruar se për hapat e tjerë kundërshtues politikë do t’i njoftojnë qytetarët në ditët e ardhshme.

Se nuk kanë ende vendimmarrje në parti për protestë e ka thënë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

Ndërkaq presidenti Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses që e shpalli të ligjshëm dekretin e tij.

Thaçi ka bërë thirrje për respektim të vendimit të Kushtetueses dhe ka kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë së re.

Dekreti i presidentit ishte kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.