Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, është tema e vetme që nuk pret në dialogun me Serbinë.

Kurti ka thënë sot se takimet e dy ditëve të fundit të ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë takime përgatitore për dialogun që do të ketë kapitull të ri.

“Bashkë me zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar edhe udhëheqësi i delegacionit dhe Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti sepse nuk mund të presim për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke brenda me Serbinë kur janë në pyetje familjarët e 1,630 qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë të dashurit e tyre edhe 20 vjet më vonë, edhe nëse e dinë që janë të vdekur”, ka thënë Kurti pas vizitës që ka zhvilluar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ai ka shtuar se aktualisht mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës e Brukselit por jo edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka vetëm një temë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve, e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe kjo me siguri se do të diskutohet në Bruksel, ndërkaq për çështjet e tjera ne kemi dhënë propozimet tona që natyrisht nuk janë pranuar. Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit mirëpo jo edhe me Serbinë”, është shprehur Kurti.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi sot se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, ka thënë Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve.

Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.