Kushtetuta e Republikës së Kosovës qëndron e heshtur përballë shumë dukurive që ndodhin tek ne.

Në historinë e Kosovës, për herë të parë fituesi i zgjedhjeve po heziton të mandatohet për kryeministër, duke munduar të fitojë kohë, derisa në po atë ditë para takimit me presidentin prezanton madje edhe gjysmën e qeverisë së tij.

Megjithatë, si duket sot është dita e fundit kur pritet që edhe presidenti Thaçi të ndërmarr veprime.

Si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve, presidenti i vendit e ka obligim kushtetues të kujdeset për funksionimin e institucioneve.

Por, ndonëse nga Zyra e Presidentit nuk kanë pranuar të deklarohen sot rreth kësaj çështjeje, nga burime brenda këtij institucioni mësohet se afati 48 orësh i presidentit Thaçi, të cilin e dha pas takimit me Kurtin, zyrtarisht skadon sonte në orë 24:00.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se presidentit i duhet propozimi me zarf i emrit të të nominuarit për kryeministër, por sipas njohësve të Kushtetutës, kjo nuk është fare e nevojshme dhe si procedurë nuk është obligative, pasi që Kurti edhe ditën e takimit me Thaçin ka folur si kryeministër në ardhje.

Po ashtu, ai është edhe fitues i zgjedhjeve si kandidat për kryeministër, prandaj çdo përpjekje për shmangie nga marrja e përgjegjësisë si mandatar në përpjekje për të fituar kohë, mund të ndalohet nga ana e presidentit Thaçi me një vendim zyrtar.

Madje, sipas njohësve të Kushtetutës, bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të presidentit, ai mund të shqyrtoj edhe opsione të tjera, përderisa Kurti si fitues i zgjedhjeve nuk po e shfrytëzon të drejtën e tij për ta marrë mandatin dhe formuar qeverinë e re.

Në të kundërtën, loja politike që pretendentët për kryeministra mund ta luajnë mund të zgjas edhe me vite të tëra, duke iu shmangur përgjegjësisë dhe rrezikuar me themel edhe stabilitetin e shtetit, prandaj çdo president si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve obligohet që të marrë vendime konform Kushtetutës, e cila lë zbrazëtira të shumta juridike pikërisht për vendime politike.