Prokurorja bullgare, Sijka Mileva, gjatë konferencës së sotme për media, nuk u përgjigj në pyetjen se a është 36 vjeçari  Shaip Nauf Al Salah, shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe udhëtari misterioz. Emrin e tij e kanë parë familjarë të të mbijetuarve në listën që e kanë marrë nga autoritetet bullgare. Këtë e pohon edhe djali i shoferit të dytë, i cili ka humbur jetën në vend ngjarje.

Në listën zyrtare të të mbijetuarve të cilën e publikoi MPJ e Maqedonisë së Veriut, nuk qëndron emri i shtetasit arab.

Hetuesit bullgar, në mënyrë shtesë do të hetojnë kush është ky njeri dhe ku gjendet. Nëse ai ka shpëtuar nga autobusi i djegur dhe më pas në mënyrë misterioze është zhdukur natën.

Sipas Prokurorisë bullgare, nga autobusi janë nxjerr trupat e 44 personave, për të cilët pason procesi i identifikimit në ditën në vazhdim, pas cka të njëjtit do të dërgohen tek familjarët në Maqedoninë e Veriut.

Disa orë para aksidentit, në pikëkalimin kufitar Kapitan Andreevo, nga drejtimi i Turqisë ka hyrë një autobus, në pronësi të agjencisë turistike “Besa Trans” me 52 udhëtarë dhe ata janë evidentuar nga shërbimet kufitare bullgare.

Nëse mblidhet numri i viktimave 44 dhe numri i të mbijetuarve 7 atëherë ato janë gjithsej 51 persona, për dallim nga ajo se në pikëkalimin kufitar jaën evidentuar 52, ka theksuar prokurorja bullgare Sijka Mileva.

Mungon një udhëtar, ndërsa kjo përputhet edhe me deklaratën e njërit nga dëshmitarët e mbijetuar i cili ka thënë se 8 persona kanë dal të gjallë nga autobusi.

“Në njërën nga dhomat e spitaleve kam biseduar me një djalosh i cili i ka mbijetuar aksidentit dhe i cili e ka thyer dritaren prej ku kanë arritur të shpëtohen personat tjerë. I thash ‘ti je heroi im’. Ai pohonte se ka shpëtuar 8 persona. Pyetja e madhe është se ku është personi i 8-të. Ai në mënyrë kategorike pohonte se janë shpëtuar 8 persona”, shpjegon prokurorja.

Temën për udhëtarin e tetë misterioz e ka përmendur edhe zv/kryeprokurori Borislav Sadafov dhe drejtori i Shërbimit Nacional Hulumtues.

“Nëse në Kapitan Andreevo është regjistruar hyrja e 52 udhëtarëve nga ai autobus, ndërsa kemi konfirmim për 44 trupa, mbetet dyshimi për udhëtarin e tetë i cili i ka mbijetuar aksidentit. A ka shkuar me autobus tjetër nga kompania turistike, po kontrollohet nga video mbikëqyrja e vendit. Prokuroria ka marrë në pyetje dy nga udhëtarët që kanë qenë të zgjuar në momentin e aksidentit dhe ata kanë dhënë informacione të sakta dhe objektive për ngjarjen. Ata janë pyetur ndaras, dhanë detaje që përputhen, dhe për këtë shkak janë plotësisht të besueshëm si dëshmitarë. Do të marrim në pyetje edhe dy persona të mbijetuar të cilët janë në spitalin Pirogov”, tha Sarafov.

Ai tha se janë duke u kontrolluar listat e udhëtarëve, nëse dikush që ka qenë në këtë autobus në Kapitan Andreevo, e ka lëshuar kufirin me autobus tjetër. Nëse autobusin e ka braktisur pasi që ka shpëtuar ose e ka ndërruar në njërën nga vendet për pushim, prokurori tha se ata këtë gjë nuk e dinë dhe të gjitha këto hipoteza duhet të kontrollohen.

Mileva thekson se 20 minuta para momentin të kobshëm, udhëtarët kanë pushuar në stacionin e benzinës dhe po kontrollohen videot që të vërtetohet se kush ka hipur në autobus, ndërsa po kontrollohen edhe dokumentet në pikat kufitare ku është regjistruar hyrja e të gjithë udhëtarëve të autobusit i cili mori flakë në autostradën “Struma”.