Shkruan: Sammi Dulcigno & Rafet Kadriu

Shumë shqiptarë duke mos e njohur gjuhën turke pyesin me dyshim se, përse turqit shqiptarët i quajnë “arnavut” dhe Shqipërinë Arnavutlluk. Fjala arnaut vjen nga persishtja e vjetër, arna-vut, që do të thotë “trim, i cili nuk di të kthehet mbrapa”. Osmanllinjtë në luftë me persët, batalionet (taborët) e skalionit të parë i zgjidhnin jeniçerë trima, që edhe pse shikonin rrezikun e vdekjes, mësynin vetëm përpara. Ata kryesisht zgjidheshin shqiptarë dhe për këtë arsye shqiptarëve u vendosën emërtimin “arnavut” dhe Shqipërisë Arnavutluk. Trimërinë e shqiptarëve e shpreh edhe historiani Mehmet Tefik, i cili shkruan: “Bashkësinë Otomane e kanë siguruar dy krahë: turqit në Lindje (Anadoll) dhe shqiptarët në Perëndim (Ballkan)..”. Por shqiptarët, në perandorinë Osmane krahas personaliteteve qeveritare dhe ushtarake, kanë bërë emër edhe në administratë, drejtësi, arsim, kulturë, arkitekturë, arte etj. Në radhët e para të këtyre personaliteteve janë shumë figura të rëndësishme të Rilindjes sonë Kombëtare, veprimtaria e të cilëve, sidomos e Hasan Tahsinit, rektori i parë i universitetit të Stambollit, Sami Frashërit etj, ishin me rrezatim të theksuar për kulturën e tërë Perandorisë Osmane, përfshirë edhe Shqipërinë e asaj kohe. Sami Frashëri hartoi fjalorët dhe enciklopeditë monumentale si: Fjalori Frëngjisht-Turqisht, Fjalori Turqisht, Enciklopedi Historike-Gjeografike në 6 vëllime etj, duke i shërbyer arsimit, edukimit dhe kulturës turke-osmane shumë më tepër se sa një intelektual turk. Abdyl Frashëri, 10 vjet deputet në Parlamentin e parë perandorak, 1877-1878, Abedin Dino një nga valinjtë e shquar, Ismail Qemali sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, vali në Siri, deputet në Parlamentin osman në vitet 1908-1912, Vaso Pashë Shkodrani, vali i përgjithshmen i Libanit. Himni Kombëtar i Turqisë së sotme autor ka shqiptarin Mehmet Akif. Shumë personalitete të Turqisë moderne të formuar nga Mustafa Qemal Ataturku më 23 prill 1920 janë me origjinë shqiptare. Marrëdhëniet e reja miqësore turke-shqiptare, në mënyrë të veçantë, hodhën themele të forta më 1920, kur lindi Turqia e re dhe qeveria e Tiranës e dalë nga Kongresi i Lushnjës në 28-31 janar 1920 akordoi marrëdhënie miqësore, ushtarake e kulturore me qeverinë e Ankarasë.
Ja edhe një teori interesante;

“Arnaud” rrjedh nga gjermanishtja e vjetër (teutonishtja) dhe në shqip merr kuptimin “kryeshqiponjë”. Emri “Shqiptar” dihet se është një term relativisht i ri që filloi të përdorej si emër populli disa shekuj pas qarkullimi të termit “arnaut”. Ka gjasa që emri “shqiptar” të mos jetë tjetër veçse një “kalk”, një përkthim i përpiktë i gjermanishtes “arnaud” dhe ndoshta vetëm rastësisht afrohet me termin “arbër”. Arkivat ushtarake austriake përmendin faktin se në gjysmën e dytë të shekullit XVII, në shërbim të forcave të perandorisë austriake kishte një numër të madh arnautësh që luftonin kundër trupave osmane. Ata sigurisht kishin një farë njohurie rreth gjuhës së vendit në ushtrinë e të cilit shërbenin. Ndonjëri prej tyre ndoshta u bë kurreshtar të mësonte kuptimin e emrit “arnaut” me të cilin e thërrisnin dhe kur e dëgjoi, emri “shqipe” duket se i pëlqeu. Në burimet turke dhe ato veneciane të shekullit XVII që bëjnë fjalë rreth fushatave turke në Balkan vihen re edhe shprehje të tilla si “arnautë dhe arnautë-shqiptarë”. Kjo lë të kuptohet se shprehja “arnaud” sapo kishte filluar të “shqiptarizohej”.
Profesor Çabej thotë se ‘dalja fitues i emrit “shqiptar” ndaj atij “arbër” nga fundi i shekullit XVII morri shkas ndoshta nga shtegtimet e shumta të fiseve shqiptare të kohës së mesme, formime fisesh të reja, dhe dyndja e osmanëve.’ Në këtë rast mund të thuhet se shtegtimet e shumta dhe dyndja osmane që solli me vete emrin “arnaud”, ishin ato që ndihmuan në daljen fitues të emrit “shqiptar”.