Ky është Besniku nga fshati Jasiq i Rrafshit të Dukagjinit, i cili ka marrë pjesë në betejën e Koshares kur ishte vetëm 18 vjeç.

Edhe pse ishte i ri në moshë, ai luftonte i patrembur përkrah trimave tjerë të UÇK-së.

Në një video, shihen bashkëluftëtarët e tij duke rrëfyer se ai ishte ndër të parët që sulmoi caqet kyçe serbe në atë betejë, ndërkohë që Besniku shprehet i vendosur ta çojë luftën deri në fund.

“Unë jam 18 vjeçar. Kam një vit e më shumë që luftoj me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kam dëshirë që kurrë mos t’i ndahem kësaj ushtrie”, shprehet ndër të tjera ai.

Ndërkohë që kur pyetet nga gazetari se a e përballon dot luftën në këtë moshë kaq të re, ai përgjigjet: “Do ta përballojmë deri në fund”.

Besniku në fund jep edhe një mesazh për gjithë rininë shqiptare ku thotë se duhet t’i ofrohet përkrahje UÇK-së deri në fund.