Nga Augustin Palokaj

Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova më shumë dëshmi për vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin. Çfarë bën Kosova? Shuan një Task Forcë të cilën BE-ja e konsideronte të suksesshme dhe në vend të besimit, rrit dyshimin. Qeveria mund të ketë arsyet e veta, por tash duhet të dëshmohet edhe më shumë. E deri sa të dëshmohet, kosovarët do të presin, sepse nuk do të ketë liberalizim vizash me sjellje të tillë

Para disa vjetësh, një ministër nga Kosova i thoshte bashkëbiseduesit se prioriteti kryesor i punës së qeverisë ku ishte ai, ishte korrupsioni. “Ne e kemi prioritetin kryesor korrupsionin”, thoshte ai dhe nuk e kuptonte pse bashkëbiseduesit mezi po përmbaheshin për të mos qeshur. Ai me siguri ka dashur të thotë se prioritet kryesor e kanë luftën kundër korrupsionit e jo korrupsionin. Këtë ngjarje e kishte treguar një ish-zyrtar i Komisionit Evropian. Me ironi, një tjetër ndërhyri duke ia tërhequr vërejtjen se ndoshta ai ministër ka qenë i sinqertë, ndoshta edhe ka menduar vërtet se e kanë prioritet përfshirjen e jo luftimin e korrupsionit.

Duket se edhe tash ka pasur një moskuptim të madh mes autoriteteve të Kosovës dhe atyre të BE-së. Në Raportin e progresit, ku u përsërit se korrupsioni në Kosovë është i shumë i përhapur, u kërkua që të dëshmohet më shumë vullnet politik për ta luftuar korrupsionin. Pra u kërkua që të luftohet korrupsioni, jo të luftohet anti-korrupsioni.

Nuk është lehtë të luftohet korrupsioni. Jo pse mungojnë njohuritë. Por pikërisht për shkak se nuk ka sa duhet vullnet dhe korrupsioni është një dukuri shumë atraktive. Për shoqërinë, ai është problem, por për shumë persona të përfshirë në këtë dukuri ai është një vlerë, një privilegj. Korrupsioni të mundëson që për një kohë të shkurtër të përfitosh atë që nuk mund ta shohësh në ëndërr pa të. Korrupsioni, nëse dikush nuk të ndal, edhe të forcon, e kështu njerëzit të afrohen edhe më shumë. Kur është i lidhur edhe me struktura politike bëhet edhe më tërheqës. Kështu është në tërë Ballkanin dhe në tërë Kosovën.

Një ish-zyrtar i lartë i BE-së u thoshte në biseda private gazetarëve se “në Ballkan korrupsioni është mjaft transparent” dhe se nuk duhet ndonjë shkathtësi për ta luftuar. Duhet vetëm vullnet dhe guxim. Por, i njëjti thoshte se në Ballkan e dinë se për disa politikanë lufta kundër korrupsionit nganjëherë mund të jetë edhe “luftë kundër vetvetes”. Pra në këto rrethana, sa herë që flitet për raportet e BE-së (edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës) me Kosovën shihet qartë se mungon besimi në vullnetin e parezervë të autoriteteve për ta luftuar korrupsionin. E ai duhet luftuar në rradhët e vetë autoriteteve.

Edhe thirrja për vullnet të qartë politik për ta luftuar korrupsionin pa ndërhyrje politike, ishte kësaj radhe edhe më e theksuar nga BE-ja kur u miratuan dhe publikuan Raportet vjetore të progresit me paketën e zgjerimit. Për më tepër, në rastin e Kosovës, ani pse formalisht u përsërit se “Kosova që në vitin 2018 i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash” u tërhoq vërejtja se me një nivel të tillë të korrupsionit do të jetë vështirë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Pos që nuk i besojnë Kosovës, disa shtete anëtare nuk i besojnë madje as Komisionit Evropian se Kosova ka dhënë rezultate të mjaftueshme në luftë kundër korrupsionit në nivel të lartë. Prandaj, nëse është dashur të shfrytëzohet rasti për të avancuar me liberalizimin e vizave, tash kur Gjermania edhe dy muaj e ka kryesimin e radhës së BE-së, është dashur të marrë hov lufta kundër krimit të organizuar dhe të jepen dëshmi të forta se politika nuk do të ndërhyjë dhe nuk do ta pengojë, por do ta inkurajojë atë luftë.

Çfarë bën Kosova? Shuan një Task forcë të cilën BE-ja e konsideronte të suksesshme dhe në vend të besimit, rrit dyshimin. Qeveria mund të ketë arsyet e veta, por tash duhet të dëshmohet edhe më shumë. E derisa të dëshmohet, kosovarët do të presin, sepse nuk do të ketë liberalizim vizash me sjellje të tillë.

Ka shumë vjet qëkur politikanët e Kosovës japin garanci për liberalizim vizash. Natyrisht pa ndonjë bazë. Për këtë kanë folur edhe ata që nuk e kanë ndonjë rol në këtë proces. Këto ditë më së paku për liberalizim ka folur ministri i cili e ka rolin kryesor, ai i Punëve të Brendshme. Sepse liberalizimi i vizave në BE është çështje e ministrave të Brendshëm. E në Kosovë ka qenë dhe është pikërisht Ministria e Brendshme ajo që e ka pasur dhe e ka përsipër barrën më të madhe të përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash. E pikërisht në këtë ministri ndodhin ndryshime që askush nuk i ka pritur.

Nëse vërtet Qeveria beson në atë që thotë “se kjo Task Forcë është antikushtetuese”, është dashur të konsultohet me miqtë ndërkombëtarë para se të bëjë këtë veprim, e jo tash të marrë përsipër detyrën për t’i bindur ata. Sepse nuk do të jetë e lehtë të binden që në kohën kur kjo Task Forcë ka dhënë rezultate, kur me punën e saj janë ngritur dyshime dhe akuza edhe ndaj politikanëve të partisë nga e cila vijnë edhe kryeministri edhe ministri i Brendshëm, e kryetar i së cilës është politikani më i fuqishëm sot në Kosovë, Isa Mustafa, një veprim i tillë i qeverisë të ketë qenë i vërtetë, sepse e kanë zbuluar pas dhjetë vjetësh se kjo Task Forcë na paska qenë antikushtetuese.

Kjo qeveri do të mbahet mend më së shumti për deklarimet konsistence se “i ka përmirësuar raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë”. Por duket se ata miq, nëse në ta mendohet në BE-në dhe SHBA-në, nuk na besojnë kur është fjala për luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër nepotizmit dhe ndërhyrjeve politike në organet ku politika nuk e ka vendin. Prandaj po tërhiqen edhe nga projektet ku kanë marrë pjesë dhe të cilat vetë i kanë financuar.

Duket se në Kosovë më së lehti i përfillin “këshillat e miqve ndërkombëtarë” kur duhet bërë kompromise me Serbinë, kur duhet hequr dorë nga kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, kur duhet hequr dorë nga e drejta në reciprocitet. Por kur kërkojnë veprime konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë në Kosovë bëhen sikur nuk i dëgjojnë apo thjesht i injorojnë. Dhe kjo vlen për të gjitha qeveritë e jo vetëm për këtë aktuale.

Nuk ka pasur ndonjë veprim kohëve të fundit i cili ka nxitur më shumë shqetësim në BE sesa shuarja e Task Forcës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sepse kjo, në vend që ta zvogëlonte, kishte rritur dyshimet.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task forcës speciale të antikorrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës ngrit shqetësime serioze rreth përkushtimit të Kosovës për të luftuar korrupsionin”, ka qenë reagimi i Komisionit Evropian krahas vlerësimeve për punën e kësaj task force për të cilën thuhej se “luan rol kyç në luftë kundër korrupsionit, siç është vlerësuar edhe në raportin e Progresit dhe në raportin për monitorimin e drejtësisë të prezantuar nga EULEX-i”. Dhe shtohej se “Qeveria duhet sa më shpejt që të jetë e mundur ta sqarojë pozicionin e saj”.

Ja çfarë pati shkruar para tri javësh në Raportin vjetor të Progresit për Kosovën për këtë Task forcë:

“Task forca antikorrupsion që vepron si njësi speciale brenda departamentit për hetime të policisë së Kosovës, heton dhe zbulon vepra të shkeljeve penale ekonomike, financiare si dhe korrupsionit”.

“Policia ishte e angazhuar në disa hetime të korrupsionit brenda institucioneve të qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i kësaj, disa raste të profilit të lartë janë paraqitur para prokurorisë”, thuhej në raportin e progresit në pjesën ku flitej për rezultatet e luftës kundër korrupsionit. Përmendej se këto masa kishin sjellë edhe deri tek aktakuzat ndaj dy gjykatësve në dy rajone të ndryshme”, thuhet në Raport të progresit.

Kjo ka qenë edhe një prej arsyeve pse Komisioni ishte në gjendje të pohonte se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret për liberalizim vizash, përfshirë edhe atë për dëshmi konkrete për luftë kundër krimit të organizuar në nivelin e lartë. Madje as këtë nuk e besonin dhe nuk e besojnë të gjitha shtetet anëtare, prandaj edhe Kosova nuk ka liberalizim.

Duhet thënë dhe përsëritur disa herë se fajin më të madh për mosliberalizimin e vizave e ka BE-ja. Nuk mund të mohojmë dështimet e autoriteteve të Kosovës, por po dënohen qytetarët. Dhe janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në BE. Por, në këtë proces jemi bindur se Kosova duhet të jetë “më e bardhë se bora” për të fituar liberalizimin. Me këtë situatë çfarë është krijuar në Kosovë për një kohë ndoshta edhe mund t’i themi lamtumirë liberalizimit. Derisa qeveria t’i bindë të gjithë se e ka pasur pa hile shuarjen e task-forcës antikorrupsion. Dhe kur ta bëjë këtë, do të kthehemi në pikën ku ishim para shuarjes së saj dhe të vazhdojmë tutje, pa ndonjë datë të qartë.