Në kulmin e fuqisë së tyre, ilirët krijuan një shtet po aq të madh, sa më vonë, romakët. Aftësitë e mëdha të ilirëve na dalin edhe te perandorët ilirë.

Ata që mbetën të lirë, u bënë viktima e lakmisë romake. Ndër mbretërit e ilirëve më i fundit ka qenë Genci. Në atë çfaqet ingêniumi i popullit të tij. Ai ka qenë njeri me kulturë të lartë. Këtë e tregojnë njohuritë e tij mjekësore, sepse me këto njohuri ai mund të luftojë me sukses një epidemi të përhapur në vend. Prandaj mbas atij quhet një bimë mjekësore e vjetër, Gentiana – E n z i a n. Ky mbret, siç duket, është edukuar në shkollat e priftërve, gjë që mund të pranojmë duke marrë parasysh faltoren e Dodonës, sepse në kohë të vjetra prifti ishte njëkohësisht edhe mjek. Një ilir me kulturë të lartë ka qenë dhe letrari romak Enius nga Rudie e Kalabrisë.

Ilirët dinin të bënin edhe birrë. Po t’i shfletësojmë fletët e lavdisë së veprave të ilirëve, atëhere duhet të përmendim Dalmatasin Hieronimus, përkthyes i Biblës, dhe disa personalitete të tjera që shënohen në Leksikun e teologjisë dhe të kishës. Aftësitë e mëdha të fisit të ilirëve na dalin dhe te perandorët ilirë. Maksimus Dais, Descius, Claudius II, Aureliani, Probi, Diokleciani, Maksimiliani, Herkuli, Galeri. Kjo gjë përsëritet në Romën e lindjes, kur Bizanti u bë Instambul dhe ku sundonin shqiptarët si vezira dhe si pashallarë.

Në të vërtetë ne duhet të kishim njohuri të pasura dhe të vlefëshme mbi kombin e ilirëve, mbassi ai gjendej shumë afër qendrave të kulturës mendore antike, meqë veç kësaj ilirët kanë pasur dikur edhe një rëndësi shumë të madhe në pikëpamje ekonomike. Vetëm minierat e arit, të Korintit ose ato të Shkodrës ku pastrohej ari, e shpëtuan Korintin nga katastrofa kur Greqia e vjetër u shkatërrua ekonomikisht, dhe punonjësit e shquar të minierave të arit në Iliri, Pirustët, u shpërngulën dhe u dërguan në Transilvani (Daki) pas pushtimit të saj prej Romakëve, me qëllim që të rregullonin financat e Romës.

Nga sindikata e tyre kemi disa njohuri mbi rregulloren e minierave në kohën antike. Ajo duket të jetë bazuar mbi statutet ilire, sepse dihet se romakët nuk kishin miniera të vetat dhe nga mungesa e lëndës së parë në Itali u detyruan të pushtonin gadishullin e Iberisë dhe të shpartallonin Kartagën. Nxjerrja dhe përpunimi i metaleve të tjera ishin të njohura dhe për njohuritë e tyre në lëmin e mineralogjisë dëshmon të nxjerrët e krypës.
Megjithatë kapitujt nga letërsia helene e romake janë zhdukur përgjithmonë, ndërsa të paktën një ekzemplar i veprës “Germania” që na jep mjaft njoftime arkeologjike gjindej në Gjermani deri në kohën e humanizmit. Pushtimi i Ilirisë prej perandorisë bullgare e bizantine, furtunat e pamëshirshme të dyndjes së popujve dhe luftrat e paprera bënë që të gjitha njohuritë e të vjetërve mbi Ilirinë të zhduken në tym edhe në flakë.
Nga dëshmitë e heshtura të tokës jemi detyruar të zbulojmë sa mund të zbulojmë, dhe shpresojmë që puna e kazmës të na dhurojë gjëra të çmueshme. Në pikëpamje shoqërore ekuilibri është ruajtur pa tjetër me grusht të hekurt, por luftrat shkatërrimtare sollën një gjendje dekompozimi.
Në kulmin e fuqisë së tyre Ilirët krijuan një shtet po aq të madh ose pothuajse aq të madh sa më vonë keltët e romakët.