Në letrën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka shkruar homologut Isa Mustafa se në rast se janë pishman që e kanë votuar Glauk Konjufcën për kryeparlamentar, mund ta iniciojnë shkarkimin e tij.

“Ju keni të drejtë të jeni të penduar dhe të kërkoni nga grupi parlamentar i LDK-së që po ashtu të pendohet dhe të ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z.Konjufca më 26 dhjetor 2019. Pra, përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa ta shkarkoni z.Konjufca. Pra, unë nuk mund t`ju ndihmoj në këtë rrugë”, ka shkruar Kurti në letër.

Kushtetuta e Kosovës, përcakton inicimin e shkarkimit të kreut të Kuvendit.

Në nenin 67.5 të Kushtetutës, shkruan se kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Por, LDK-ja nuk ka kërkuar shkarkimin e tij, por dorëheqjen. Akti i dorëheqjes është i sanksionuar me Rregulloren e punës së Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit mund t’ia paraqesë dorëheqjen Kuvendit. Aktin e dorëheqjes me shkrim ia dorëzon paraprakisht Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të dorëheqjes, partia politike ose koalicioni, që e ka emëruar Kryetarin e mëparshëm të Kuvendit propozon kandidat të ri për kryetar”, thuhet në nenin 14.3 të Rregullores.