Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Janar 2020

“Le Petit Parisien” ka botuar, të martën e 4 prillit 1916, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me pritjen e Esat Pashë Toptanit nga kryeministri francez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Esat Pasha i pritur nga Presidenti i Këshillit (Kryeministri)

Presidenti i Këshillit, ministër i Punëve të Jashtme, priti, mëngjesin e djeshëm, Esat Pashën, i cili mbërriti në Paris të shtunën.

Gjatë takimit të tyre, z. Briand e uroi ngrohtësisht Presidentin e qeverisë shqiptare për qëndrimin e tij besnik ndaj kauzës së aleatëve dhe e falënderoi atë për ndihmën e tij të dobishme në operacionet e evakuimit të ushtrisë serbe në Selanik.

Esat Pasha, i cili u prek shumë ndaj fjalëve të z. Briand, tha se ai u ishte bindur ndjenjave të përzemërsisë dhe të devotshmërisë që ka për Francën dhe shprehu besimin e tij të plotë në suksesin e armëve të saj.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)