Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një Zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.
Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomorri, duke pasur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundte më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo qënë këto treva, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit.

Zana e bukur, që i donte vëllezërit, po jo zemërimin e tyre të derdhur mbi njeri-tjetrin, qau e qau pa masë.

Ai lumë, që tani mban emrin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’u treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi asnjëherë nuk do t’i shterë lotët.