Së fundmi, gazeta franceze “L’est Republicain” i ka dedikuar një artikull sipërmarrësit shqiptar në Francë, Eridan Skana. Ai është një nga rastet e suksesshme të integrimit të shqiptarëve në vendet e Europës, duke u bërë drejtues i kompanisë, në të cilën u punësua për herë të parë, i ardhur nga Shqipëria.

Tashmë ai menaxhon tri kompani dhe një staf prej 60 punonjësish në fushën e sinjalistikës rrugore.

Artikulli francez shkruan se “Eridan Skana mbërriti në Francë në moshën 17 vjeç, ku nuk dinte asnjë fjalë nga gjuha e Molierit. Por ai sot është pronar i kompanisë ku punonte gjatë verës dhe menaxhon 60 punonjës”, kështu e nis shkrimin e saj gazeta franceze Les’t Republicain për shiptarin që sot e konsiderojnë si mjeshtrin e sinjalistikës rrugore.

Thuhet se me tri kompanitë e tij, ai ka të gjithë kapacitetet për t’iu përgjigjur të gjitha ofertave të tregut publik, nga shënimi i dyshemesë deri te prodhimi i paneleve. Konkurrentët e tij tani quhen Bouygues, Vinci ose Lacroix Signalisation.

Gazeta franceze shkruan se disa muaj më parë, Eridan Skana u bë i njohur për një operaciion që goditi botën e vogël ekonomike të Franche-Comté, ai bleu Franche-Comté Signaux në Rurey (Doubs) pasi kishte luftuar fort kundër një kandidati konkurrues.