Përkufi­zimi “shkrimtar shqiptar në Greqi” i takon periudhës së emigrimit masiv të shqiptarëve drejt Greqisë dhe vendosjes së tyre në shtetin fqinj në fi­llimet e viteve ‘90. Kjo kategori fillon të fuqizohet në dhjetëvjeçarin e dytë të ‘90-s, atëherë kur shumica e emigrantëve të brezit të parë kryesisht e të brezit të dytë janë familjarizuar tashmë me Greqinë e gjuhën greke, kanë arritur njëfarë konsolidimi ekonomik e social, çka u jep mundësinë t’i përkushtohen më shumë krijimtarisë letrare.

SHKRIMTARËT E BREZIT TË PARË

Krijimtaria e emigrantëve të brezit të parë, për shkak të formimit të tyre arsimor, universitar dhe profesional në Shqipëri, karakterizohet nga lidhja e pazgjidhshme me vendlindjen dhe gjuhën shqipe. Një tipar tjetër i shkrimtarëve të brezit të parë, që shkruajnë në gjuhën shqipe, është afirmimi i tyre i vonë në letërsinë shqipe. Kjo vjen si pasojë e shkëputjes së tyre fi­zike nga trungu mëmë dhe pamundësisë ­fillestare për të parë dritën e botimit në shqip. Ky brez shkrimtarësh, për shkak të largimit nga Shqipëria në kapërcyell të rinisë së vonë, nuk do të ketë mundësinë reale të integrohet në botën letrare greke, qoftë për shkak të njohjes së kufi­zuar të gjuhës, qoftë sepse përvojat jetësore e letrare që mbartin, mund të sendërtohen vetëm përmes shkrimit në shqip. Ngjan sikur ky brez jeton mendërisht në Shqipëri dhe ­fizikisht në Greqi.

Thanas Medi është shkrimtari shqiptar më përfaqësues i brezit të parë në Greqi. Romani i tij “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i nderuar në Shqipëri me Çmimin Kombëtar të “Veprës më të mirë letrare për vitin 2013”, është botuar në greqisht nga Shtëpia Botuese “Epikendro”, në dhjetor të vitit 2019.

Një tjetër përfaqësues i brezit të parë është gjithashtu poeti Luan Xhuli, i cili ka botuar një numër të madh librash poetikë në të dyja gjuhët. Xhuli është poeti i parë shqiptar që afirmohet në Greqi, përmes një vëllimi poetik edhe në gjuhën greke, në vitin 2003. Ai është anëtar i Lidhjes së Poetëve Grekë dhe shumë nga poezitë e tij janë botuar në revista të rëndësishme letrare greke dhe ndërkombëtare.

Emra të tjerë të njohur janë Dhimitër Nica, Jani Nase, Miho Gjini, Ardita Jatru etj.

Një rast krejt i veçantë i shkrimtarëve shqiptarë të brezit të parë është ai i Gazmend Kapllanit. Kapllani është prozatori i parë shqiptar në Greqi që, pavarësisht kombësisë dhe nënshtetësisë shqiptare, thyen “rregullin” e deriatëhershëm të shkrimit në shqip dhe a­firmohet në botën e letërsisë greke përmes librit të tij të parë në greqisht “Ditar i shkurtër kufijsh”. Libri u përqafua ngrohtësisht nga kritika greke dhe për njëfarë kohe ishte në kategorinë e librave më të shitur. Përveç librit të parë, pasuan edhe dy libra të tjerë në greqisht, të cilët gjithashtu morën vlerësime pozitive. Të tre librat e Kapllanit kanë si temë çështjet identitare, sindromën e kufi­jve dhe veprimi zhvillohet në të dyja vendet, në Shqipëri e Greqi. Pjesë nga libri i tij, “Ditar i shkurtër kufi­jsh”, janë përfshirë në orën e mësimit letrar në shkollat e mesme greke. Por Kapllani, krahas aftësisë letrare, në ndryshim nga brezi më i vjetër i emigrantëve shqiptarë, kreu ciklin e plotë të studimeve universitare dhe pasuniversitare në Greqi, çka padyshim ndikoi në përsosjen e gjuhës greke.

Një nënkategori të ndryshme përbën brezi i parë i shkrimtarëve minoritarë, krijimtaria e të cilëve, në ndryshim nga pjesa tjetër e shqiptarëve, zhvillohet në gjuhën greke. Kjo nënkategori ka si narracion jetesën e minoritetit grek në Shqipëri, traditat lokale, si dhe dinamikat e ndryshueshme të marrëdhënies së minoritarëve me sistemin komunist.

Shembulli më i spikatur është shkrimtari Telemak Koça, nga fshati Vrisera i Dropullit, i cili ka botuar mbi 13 libra në gjuhën greke. Libri i tij “Në bregun përballë”, i cili është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Toena”, me përkthim të Maklena Nikës, ka qenë në listën e librave më të mirë për Çmimin Kombëtar të Letërsisë në Greqi. Librat e tij janë nderuar me çmime letrare të rëndësishme dhe kanë njohur një vlerësim të gjerë në shtypin grek. Është ndër të paktët shkrimtarë që ka trajtuar një mori të madhe temash, të cilat nuk ku­fizohen vetëm rreth minoritetit grek, por ngërthejnë edhe problematika të tjera sociale, që lidhen me shoqërinë shqiptare.

Shkrimtarë të tjerë minoritarë janë Niko Kacalidha dhe Thoma Sterjopullo, që, krahas veprës së tyre letrare, njihen edhe si përkthyes. Kjo vlen për pjesën më të madhe të shkrimtarëve minoritarë, kryesisht të atyre që kanë jetuar afër zonave të minoritetit grek.

Ka edhe shkrimtarë minoritarë, si Grigor Jovani, krijimtaria e të cilëve zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe. Grigor Jovani, përveç krijimtarisë së pasur, ka një kontribut të veçantë në promovimin e letërsisë shqipe në Greqi dhe të talenteve të reja. Ai ka qenë kryeredaktor i gazetave: “Zëri i emigrantit”, “Rilindja XXI”, “Tribuna”, drejtor i gazetës “Albanews”, si dhe drejtues i revistës “Pelegrini”. Aktualisht, në Greqi, drejton revistën letrare “Pegasi”.

SHKRIMTARËT E BREZIT TË DYTË

Shkrimtarët shqiptarë, që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve, në një vështrim krahasues, shfaqin disa veçori të tjera. Shkrimtarë të brezit të dytë konsiderohen zakonisht fëmijët e emigrantëve të brezit të parë, të cilët u shkolluan pjesërisht ose tërësisht në Greqi, ose që erdhën në Greqi gjatë valës së dytë të emigracionit, në vitet 1997–2000. Edhe ky brez përbëhet nga disa nënkategori.

Ndër emrat më të njohur të brezit të dytë, që shkruajnë në gjuhën shqipe, janë Elona Gjergo, Brikena Qama, Alma Braja, Bledi Trebicka, Armela Hysi, Artur Shkira etj.

Elona Gjergo dhe Alma Braja, krahas shqipes, shkruajnë edhe në greqisht. Gjergo ka botuar pesë libra në shqip dhe pritet të dalë libri i saj i parë me poezi në gjuhën greke. Shkrimtarë të tjerë, që shkruajnë në dy gjuhë, janë Erjus Mezini, i cili aktualisht jeton në Amerikë, dhe Martin Kuka, që vitet e fundit jeton në Tiranë.

Mezini ka botuar tre libra në shqip dhe në vitin 2020 doli libri i tij i parë në greqisht. Martin Kuka është autori i një libri me poezi e prozë poetike në shqip, ndërsa romani i tij në greqisht pritet të botohet në vazhdim. Mbizotërimi i shqipes apo i greqishtes përgjatë periudhave të ndryshme është në varësi të prirjes dhe dëshirës së tyre për t’u thelluar në njërën apo në tjetrën gjuhë. Kjo listë nuk është shteruese, pasi ka edhe emra të tjerë që shkruajnë në të dyja gjuhët.

Nënkategoria tjetër lidhet me fëmijët e emigrantëve shqiptarë, që u rritën dhe u shkolluan në Greqi, të cilët shkruajnë letërsi ekskluzivisht në gjuhën greke. Përfaqësuesit më të njohur janë Kristo Armando Gezo, Eno Agolli dhe Suela Dukshi. Gezo ka marrë “Çmimin Kombëtar të Shkrimtarit të Porsashfaqur” (2014) për vëllimin e tij poetik “Frikëra të papërmbushura” dhe është autor shumë i suksesshëm i dy librave të tjerë: i romanit “Balta” (që do të botohet në shqip nga “Pika pa sipërfaqe”) dhe i librit me tregime “Shilarësja”.

Ndonëse Gezo ka njohje elementare të gjuhës shqipe, për shkak të origjinës greke dhe emigrimit që në moshën tre vjeçe, Shqipëria është e pranishme në librat e tij në forma të ndryshme. Eno Agolli, një poet mjaft i ri në moshë, është shquar shumë herët për vëllimin e tij poetik në gjuhën greke “Shkak poetik”, ku përdor edhe disa fjalë në shqip. Poezia e Agollit dhe mosha e re e poetit – ishte vetëm 20 vjeç gjatë botimit të tij të parë, në vitin 2015 – pati një jehonë të veçantë në rrethet letrare greke dhe në shtypin kulturor.

Suela Dukshi është gjithashtu poete e njohur e dy librave me poezi, e cila është nderuar me Çmimin e parë të revistës “Anagnostis”. Që të tre emrat e sipërpërmendur janë në radhën e autorëve më të mirë të brezit të ri në Greqi.

Origjina shqiptare nuk ka qenë pengesë në rrugëtimin e tyre, sikurse rëndom pretendohet në Shqipëri për gjithçka që lidhet me shqiptarët e Greqisë, por pjesë përbërëse e kurrikulumit letrar të autorëve në fjalë. Në këtë rast, të shkruarit në gjuhën greke nuk diktohet nga rregullat e “tregut të librit” apo ngasjes për të shkruar në të dyja gjuhët, por është gjuha e krijimtarisë e tyre. Në ndryshim nga shkrimtarët, që zgjedhin të shkruajnë në shqip e në greqisht, në mënyrë që të afrohen me lexuesit e të dy vendeve pa ndërmjetësinë e përkthyesve, këta shkrimtarë nuk ndryshojnë nga shkrimtari “i mirëfi­lltë” grek dhe origjina e tyre shqiptare përbën thjesht referencë gjeogra­fike. Nuk janë shkrimtarë dygjuhësh në kuptimin e shembujve botërorë, si Nabokov, Kundera etj., pasi shqipja e tyre nuk mund të mbështesë struktura më të ndërlikuara, siç është shkrimi letrar.