Bashkimi Europian pret që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë dhe atë të lirisë së lëvizjes dhe vizitat zyrtare.

Në një përgjigjie lidhur me zhvillimet e fundit, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shprehet se për këtë ka një akordancë mes palëve.

”Palët kanë rënë dakord për modalitete të qarta për trajtimin dhe ekzekutimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk duhet të politizohet. Çdo mosmarrëveshje duhet të adresohet dhe zgjidhet brenda dialogut”.

Tutje ai thotë se Bashkimi Europian është i përkushtuar në një punë konkrete për të ndihmuar partnerët në rajon për të ecur përpara, duke përqafuar vlerat dhe parimet Europiane.

”Ne gjithmonë u kemi bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, dhe jo e kundërta”.

Kryeministri Avdullah Hoti ka pranuar sot një letër nga Miroslav Lajçak, ku Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i kërkon Kosovës që t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për lejimin e vizitave nga zyrtarë serbë në Kosovë.