Ish-negociatori i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, britaniku Robert Cooper, ka shkruar një letër “private dhe konfidenciale” rreth udhëtimit studimor në kryeqytetin serb. Në krye të letrës, Coopper zbulon se shkëmbimi i shumëpërfolur i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk ka të bëjë fare me shkëmbim. Sipas Cooper, ideja është që Serbia ta marrë Veriun, ndërsa Kosova asgjë territoriale, por njohjen eventuale nga Serbia. Letra është zbuluar vitin e kaluar.

Një letër konfidenciale e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), zbulon prapaskenat e negociatave sekrete që po bëhen për ndarjen e Republikës së Kosovës.Këto konstatime të bëra në këtë letër janë nxjerrë pas një vizite që anëtarët e këtij Këshilli të kryesuar nga Robert Copper kishin bërë në Beograd përgjatë 17 dhe 18 tetorit të vitit 2018.

Siç shkruhet në këtë letër, në bisedimet ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit nuk bëhet fjalë për shkëmbime të territoreve, por vetëm për ndarje të Republikës së Kosovës. Siç shkruhet në letër, Kosova do të japë pjesën veriore në këmbim të njohjes nga Serbia.“Temë kryesore e debatit në Beograd ishte propozimi për ‘shkëmbim të territorit”: Një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” që do të lejonte Serbinë të rimarrë territorin e kontestuar (Veriun e Kosovës) në këmbim që Serbia ta njohë Kosovën si shtet. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të shkojnë këto bisedime, as nëse ndonjë marrëveshje e mundshme mund të shitet në Kosovës. Mbetet ende rrugë e gjatë për t’u bërë”, thuhej në këtë letër.

Ndër të tjera në këtë letër thuhet se presidenti i Serbisë e konsideron si çështje jashtëzakonisht të rëndësishme zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Republikën e Kosovës, madje më të rëndësishme se zgjidhja e disa problemeve që Serbia ka me sundimin e ligjit dhe demokracinë.(Ai imagjinon dëshirën e Brukselit për një burrë të fortë dhe hero në Ballkan që bën marrëveshje gjeopolitike), thuhet në këtë fjali që i referohet presidentit serb, Vuçiq.