Kryediplomatja suedeze dhe njëherësh kryesuesja e OSBE-së, Ann Linde, ka mbajtur një konferencë për media, shoqëruar edhe nga Ndihmës-sekretarja e Përgjithshme e OKB-së, e cila mban njëkohësisht rolin e zëvendësdrejtoreshës ekzekutive të UN Women, Asa Regner.

Në diskutimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare ‘’Gratë, Paqja dhe Siguria’’, dy zyrtaret shprehën rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes.

Në takimet e mbajtura këto ditë, Regner përmendi hasjen në një gatishmëri të institucioneve dhe shoqërisë civile për avancimin e barazisë gjinore, teksa u përmend se janë zhvilluar takime me presidenten, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, kryesuesja e OSBE-së Linde, ka trajtuar gjithashtu çështjet që lidhen me dialogun mes Kosovës e Serbisë, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në këto procese.

Në përgjigjen e drejtuar gazetarëve në konferencë, ajo u shpreh se OSBE-ja ka mbështetur procesin e dialogut.

“Jam këtu në dy role të ndryshme. Ju e dini se si shtet i Suedisë, ne e njohim Kosovën, por si OSBE ne kemi qëndrim neutral për statusin. OSBE-ja ka mbështetur procesin e dialogut”,  tha ndër të tjera ajo.