Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, ka thënë se e ka mirëpritur fondin e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët e Luginës, të arriur sot në mbledhjen mes dy qeverive shqiptare.

“S’më mbetet tjetër, veç ta falënderoj qeverinë Rama dhe Hoti, në veçanti ministrin Cakaj dhe ministren Stublla, për arritjen e madhe në këtë moment. Besoj që strukturalisht në mënyrë shumë të veçantë, e shpjegoi edhe kryeministri qasjen sistematike të një komunikimi të vazhdueshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptar që ka ministritë”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Mustafa theksoi që deri tash janë arritur rezultate, drejt avancimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Deri tash kemi arritur rezultate të dukshme. Shpresoj që krahas fondit, do të fillojmë edhe më tutje të avancojmë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si nevojë e domosdoshme për t’i bërë diskriminimit sistematik që i ndodh në Serbi”.

Mustafa ka thënë që shpreson se në mbledhjet tjera mes dy qeverive do të ketë vend, edhe për përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

“Konsideroj që këto dy vite është bërë një politikë proaktive, sa i përket trajtimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës dhe na mbetet vetëm të intesifikojmë marrëdhëniet tona”.

“Një arritje e madhe ka qenë edhe sigurimi i teksteve mësimore. Konsideroj, që para dy vitesh ishte zhgënjyese që s’u trajtua asnjë çështje nga Lugina ; në mbledhjen e dy qeverive. Kësaj radhe, i kanë dhënë rëndësinë e nevojshme edhe trajtimit të kësaj çështje”, u shpreh Mustafa.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku janë nënshkruar 14 marrëveshje nga ministrat e dy shteteve.