“E pastaj një shi i duhur bij sipër nesh” është një nga vargjet që vjen si zëri i një narratori për një botë të gjallë lirike mes për mes fshatrave arbëreshe. Nën diellin e fortë mesdhetar shtohet edhe më fort hijeshia e sukave dhe kodrave të buta të Shën Sofias (Santa Sofia d’Epiro).

Është një nga ngulimet arbëreshe në rripin me shtatë copë vendbanime të një gjuhe të vetme me malin e Pollinos si sfond panoramik. Të parët shqiptarë thuhet se hodhën rrënjë aty në vitin 1472 si shumë të tjerë që u detyruan të linin Arbërinë pas vdekjes së Skënderbeut. “Ndërrita se hapja dritaren/ e dhomës sime/ e majat e barda e Polinit/ më mirrnin sytë/”, vijon më tej nostalgjia poetike.

Me gëzimin mëngjesor që fillonte nga majat e dëborta të maleve, poeti po e lëshonte vështrimin te polemi arbëresh “me sy plot gëzim e buzëqeshje/ e zemra e dyer të hapura/ e ngjyroja verë e kulaçe/ e vëllazëri në çdo shteg/”.

Nga e hëna, vargjet e poetit modern arbëresh, Paskal Renda (1955-2014) janë fiksuar në këngën “Lumturi” të bendit muzikor nga Sicilia “The DAGGS”.

Dy muajt e pandemisë së virusit kanë ngadalësuar ca projektet, por jo edhe vendosmërinë e pesë të rinjve arbëreshë: Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli.

I bashkëshoqëruar me një videoklip tërheqës, “Lumturi” – si single i parë i albumit – përcjell emocione e dashuri nga fshatrat arbëreshe të Italisë.

Në një intervistë të paradokohshme, vokalisti i grupit, Giorgio Fusco, kishte treguar se videoklipi në fjalë merr frymëzimin “nga një udhëtim nostalgjik e përplot mall nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë”.