epa08539540 Supporters of the ruling SDSM party wearing protective face masks, attend the main election campaign rally in Skopje, Republic of North Macedonia, 10 July 2020. North Macedonia will hold elections on 15 July. EPA/GEORGI LICOVSKI

Të mërkurën mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të dhjetat që nga pavarësia e vendit dhe zgjedhjet e pesta të parakohshme. Këto zgjedhje që po mbahen në kohë pandemie, ishin caktuar për 12 prill, por u shtyn pikërisht për shkak të rrethanave me koronavirusin. Zgjedhjet e rregullta do të duhej të mbaheshin në nëntor të këtij viti.

Sipas të dhënave, mbi 1 milion e 814 mijë votues janë në regjistrin zgjedhor në shtetin me rreth dy milionë banorë, ku censusi i fundit është bërë para 18 vjetësh dhe numri i lartë i votuesve të regjistruar ka qenë temë debati prej vitesh.

Duhet theksuar se votimi mbahet në një ditë pune për herë të parë, megjithëse e mërkura është shpallur ditë pushimi.

Që nga janari është në detyrë një qeveri teknike, një rregull i përcaktuar nga ajo që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila parashikon që tre muaj para zgjedhjeve largohet kryeministri për t’i lënë vendin një drejtuesi tjetër, zakonisht nga e njëjta parti dhe dy vende ministrash e po aq zëvendësministra i lihen opozitës.

Të hënën dhe të martën kanë votuar personat e prekur nga COVID-19, personat në izolim, si dhe të burgosurit. Autoritetet shëndetësore kanë garantuar një proces të sigurt për të gjithë për sa i përket kushteve shëndetësore, si për anëtarët e komisioneve, ashtu edhe për votuesit, ndonëse shifrat e të prekurve dhe të viktimave nga koronavirusi nuk kanë shënuar rënie që prej disa javësh.

Gjithsej 7.861 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm kanë shfrytëzuar të drejtën e votës gjatë ditës së dytë të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të drejtën për të votuar nga shtëpitë e pleqve e kanë shfrytëzuar 234 persona nga gjithsej 357 të paraqitur, kurse gjithsej 1.235 të burgosur kanë votuar gjatë ditës së sotme, njoftoi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani.

Gjatë ditës së sotme të drejtën e votës kanë mundur ta realizojnë gjithsej 8.855 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, 357 qytetarë nga gjithsej 17 shtëpi të kujdesit si dhe 1.657 të burgosur nga 13 institucione korrektuese.

Dje të drejtën e votës e kanë realizuar 723 persona me Covid-19 dhe persona në vetizolim.

Maqedonia e Veriut ndahet në gjashtë zona zgjedhore; Secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament. Drejtuesit politikë shqiptarë kandidojnë në zonën e gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Kërçovës e të Dibrës. Por, interesi i votuesve në këtë zonë nuk ka qenë aq i lartë sa në zonat e tjera, sidomos ato të lindjes në disa ciklet e fundit zgjedhore.

Të gjitha partitë shqiptare së bashku kishin 20 deputetë në përbërjen e fundit të parlamentit dhe dy të tjerë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, e cila fitoi dhjetëra mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 2016-ës. Përveç partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat dalin në koalicion të përbashkët, të tjerat garojnë veç e veç, teksa Lëvizja Besa është bërë pjesë e koalicionit me Lidhjen Social Demokrate maqedonase që përmbledh brenda vetes rreth njëzet parti të vogla e entitete politike.

Sondazhet e organizatave amerikane IRI dhe NDI të para pak javëve e nxjerrin LSDM-në si partinë me mbështetjen më të madhe në këto zgjedhje, por vetëm me 1 deri në 2 për qind ndaj rivales konservatore VMRO-DPMNE. Drejtuesi i LSDM-së, Zoran Zaev, në disa raste është shprehur se nuk do të bënte koalicion qeveritar me Bashkimin Demokratik për Integrim, teksa zyrtarët e kësaj të fundit kanë theksuar më tepër se një herë preferencën për ta vazhduar koalicionin qeverisës me social-demokratët.

Procesi do të vëzhgohet nga 98 përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase.

Ndërkohë, Derkovski konsideron se dita e dytë e zgjedhjeve po zhvillohet pa pengesa dhe probleme.

“Edhe pse kiushtet janë mjaft të komplikuara, në kushte të krizës së pandemisë, konsideroj se këshillat zgjedhorë deri më tani e kryen mirë punën dhe i inkurajoj ta përfundojnë deri në fund të ditës. I inkurajoj edhe të gjithë të paraqiturit, t’i presin këshillat nëse deri më tani nuk kanë ardhur për t’i vizituar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha Derkoski.

Paralajmëroi se pas orës 21:00 do të kumtojnë se si ka kaluar votimi i këtyre kategorive të personave.

“Dhe nga kjo ditë u pa se KSHZ me tërë administratën, e cila është mbështetje e tërë procesit, arriti ta organizojë votimin siç duhet, duke mbajtur llogari para së gjithash për shëndetin e qytetarëve. Askund nuk është paraqitur asnjë ngjarje e cila do ta rrezikonte shëndetin e votuesve. Konsideroj se ashtu do të kalojë edhe dita e nesërme. U bëj thirrje qytetarëve të dalin nesër dhe të votojnë dhe të jenë të sigurt se janë përmbushur të gjitha kushtet për votim të sigurt, par së gjithash për shëndetin e tyre dhe shëndetin e të gjithë atyre që marrin pjesë në organizimin e këtij procesi. T’i respektojmë rekomandimet dhe procedurat, si nga ne, ashtu edhe nga autoritetet shëndetësore, e tëra me qëllim të mbrojtjes së këtij procesi, ndërkaq edhe mbrojtjen e shëndetit të tyre”, tha Derkoski.

Për spekulimet për numërim të votave, kryetari i KSHZ-së tha se fletëvotimet prej dje dhe sot do të numërohen së bashku me të gjitha fletëvotimet e tjera.

Derkoski i luti edhe të gjithë pjesëmarrësit në garën poilitike t’i lënë qytetarët të lirë ta realizojnë të drejtën e tyre votuese.

“Dita e djeshme, e sotme dhe e nesërme janë ditë të KSHZ-së dhe ditë të qytetarëve për ta përmbushur të drejtën e tyre të votimit. Edhe një thirrje – përmbajuni të gjithë, lërini qytetarët ta sjellin vendimin e duhur”, potencoi Derkoski.

Edhe anëtarët e tjerë të KSHZ-së bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje ta respektojnë heshtjen. Treguan se votuesit mund të votojnë vetëm me letërnjoftim valid dhe dokument valid të udhëtimit, ndërsa këshillat dhe komisionet zgjedhore t’i respektojnë udhëzimet nga KSHZ-ja.

Boris Kondarko theksoi se votimi është i lirë, i fshehtë dhe i sigurt. Informoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e mbrojtjes shëndetësore, nuk ka pasur kurfarë ankesa dhe se po respektohen rekomandimet. Për publikimet e sotme në rrjetet sociale, në emër të KSHZ-së sqaroi se fletëvotimet janë përpunuar në pajtim me ligjin, mbrojtja dhe përmbajtja e tyre janë sipas ligjit.

“Qytetarët duhet të jenë të qetë se me fletëvotimet, në asnjë bazë nuk janë të mundura keqpërdorimet, manipulimet apo falsifikimet”, tha Derkoski. Kumtoi se fletëvotimet kanë dhjetëra mbrojtje, disa të dukshme dhe disa të padukshme. Në asnjë fletëvotim nuk ka numër serik, që ndodhet në shtyllë, e cila mbetet në këshillin zgjedhor.

Komisioni shtetëror zgjedhor sot pasdite, në kuadër të vazhdimit të mbledhjes së 77-të shqyrtoi ankesa të reja për shkelje të së drejtës personale zgjedhore, parashtruar nga disa qytetarë dhe të gjitha i refuzoi. Anëtarët e KSHZ-së diskutuan edhe për tre akte të parashtruara nga Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) dhe konstatoi të kthehen sërish në këtë institucion.