Ndonëse në rrethanat tona, emri dhe mbiemri janë çështje identitare dhe mbrohen me të drejtat e njeriut dhe kushtetutë, megjithatë ky fenomen, tregon edhe më tutje, drejtpërdrejt ose tërthorazi, fuqinë e  faktorëve të shumtë shoqërorë dhe politik që atë e mbajnë gjallë.

Dritan Abazoviq, lider politik shqiptar i cili doli në pah pas zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi, e nxori në qendër të vëmendjes një çështje që s’kishte të bënte me kombinatorkën paszgjedhore.

Në rrjete sociale e media tash e disa javë kanë shpërthyer debate e komente për etnicitetin e tij dhe faktin se mbiemri i tij përmban një sufiks deminutiv sllav –VIQ.

Duke qenë një gjë e zakontë që mbiemra shqiptarësh të përfundojnë me sufiks deminutiv të tillë, vet Abazoviq në shumë raste është ndier i befasuar për rëndësinë që opinioni i dha kësaj çështjeje.

Nuk na bën dëm që këtij debati t’i japim pak perspektivë dhe informim historik lidhur me atë se si përfunduan jo vetëm mbiemrat shqiptarë por edhe emrat e vendbanimeve shqiptare me sufiksin -VIQ.

Shpjegimi i sufiksave diminutiv (prapashtesave zvogëluese) në shqipe –iq dhe –viq me origjinë sllave  janë çështje të gjuhësisë dhe të etnografisë po edhe të toponomisë. Megjithatë, interpretimi historik ndihmon që të përvijohen faktorët kohorë etnikë dhe socio-kulturorë që disa prej tyre të kthehen në  toponime dhe antroponime, pra si fakte jetësore dhe materiale, ku edhe marrin formë identitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, sufikset deminutive dallojnë etnitë, gjë që mund të quhen edhe karakteristika identitare, me anën e të cilave dallohet popullata ilire nga ajo  greke, romake, gjermane dhe sllave.

Takimet e para të ilirëve me sllavët nga shekulli VII i erës sonë e këndej, përkundër asimilimeve, nuk ia kanë dalë të ndryshojnë karakterin gjuhësor të prapashtesave deminutive te këta popuj. Kështu, popullata ilire-arbërore-shqiptare, te antroponimet (mbiemrat) ka ruajtur prapashtesën –aj, ndërsa gjuhët sllave kanë ruajtur –iq dhe –viq në të gjitha format.

Por, shfaqja e gjuhës së liturgjisë si dhe e shkrimit kishtar ka ndikuar që gjuhët liturgjike (latinishtja, greqishtja dhe më vonë sllavishtja e vjetër kishtare) nga shekulli XI e këndej, sufikset (prapashtesat zvogëluese) t’ua përshtatin normave të veta gjuhësore, qoftë edhe dhunshëm.

Në këtë aspekt greqishtja, me prapashtesat –os, -us dhe të tjera thuajse ka greqizuar toponimet por edhe antroponimet. Ngjashëm ka vepruar edhe sllavishtja e vjetër kishtare, e cila sufiksin diminutiv sllav –iq, -viq, e ka kthyer në diktat sllavizues, gjë që kjo normë liturgjike ka kaluar pastaj edhe në atë të regjistrave të kishave, në administratë dhe madje edhe në jetën publike.

Kështu, në bulat kishtare të shkruara me sllavishte të vjetër të gjithë emrat dhe toponimet iu kanë nënshtruar diminutivit –iq dhe –viq, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Meqë një pjesë e mirë e etnisë shqiptare i ka takuar ritit ortodoks, me liturgji në gjuhën greke dhe sllavishte të vjetër, atëherë në regjistrat kishtarë emrat e tyre kanë marrë formën  greke ose sllave.

Te kjo çështje duhet parë edhe praninë e sufiksave diminutiv grekë dhe sllavë (-iq dhe –viq) te shqiptarët, që vijojnë diku-diku edhe te koha jonë edhe jashtë kritereve të liturgjisë kishtare siç ishte në mesjetë dhe jashtë përkatësisë fetare, fakt ky që shpjegohet që –iq dhe –viq, si mbiemër, takohet edhe te popullsia myslimane shqiptare (në Sanxhak, Preshevë, Bujanovc dhe pjesërisht edhe në Kosovës), siç takohet edhe diminutivi bullgar-maqedon (-ov, ev, veski) te një pjesë e shqiptarëve në Maqedoni.

Pra sufixi i mbiemrave -iq dhe -viq është mbajtur nga fiset shqiptare për shkak se në kohën e mesjetës nuk kanë ekzistuar etnitë dhe kombet në formën që ekzistojnë sot.

Por, shfaqja e sotme e diminutivit –iq dhe –viq jashtë kornizave të njohura mesjetare, te popullata shqiptare në Sanxhak, Mal të Zi dhe Luginë, ka të bëjë me faktorë të vonshëm të shekullit të kaluar, që lidhen me asimilimin dhe sllavizmin e dhunshëm të kësaj popullate nga pushtimet e viteve 1878, 1912 si dhe regjimi komunist 1944, që po ashtu, përkundër emancipimit ideologjik, nuk ia doli që të heq në tërësi te mbiemrat –iq dhe –viq, që i kishte detyruar me ligj Mbretëria serbe dhe ajo Jugosllave.

Prandaj, shikuar nga aspekti shoqëror dhe politik, prapashtesa –iq dhe –viq te mbiemrat e shqiptarëve të deklaruar shqiptarë, duhet parë si mbetje të mentalitetit pushtues, që ruan funksionet e caktuara në raport me faktorët politikë dhe shoqëror të kohës.

Për të qenë më të qartë, nuk do të thotë se prapashtesa -iq dhe -viq e bën një person të sotëm më pak shqiptar. Ne në Kosovë edhe sot kemi mbiemra të tillë që janë mbejte e të kaluarës, mbiemra si Rexhepagiq. Kjo prapashtesë tregon për historinë e caktuar që mund të jetë ose mesjetare ose pjesë e sllavizmit të dhunshëm në dy shekujt e fundit nëpër të cilin ka kaluar fisi e familja e tij/saj.

Ndonëse në rrethanat tona, emri dhe mbiemri janë çështje identitare dhe mbrohen me të drejtat e njeriut dhe kushtetutë, megjithatë ky fenomen, tregon edhe më tutje, drejtpërdrejt ose tërthorazi, fuqinë e  faktorëve të shumtë shoqërorë dhe politik që atë e mbajnë gjallë.

Nga Jusuf Buxhovi