Më 18 dhjetor, Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) njofton se kujt i shkon çmimi për arritjet si trajner gjatë vitit 2021.

Driton Kuka mund të jetë fituesi. Fitues mund të jenë edhe austriakja Yvonne Boenisch, suedezi Robert Eriksson, francezët Larbi Benboudaoud e Christophe Gagliano apo japonezi Kosei Inoue. Fitues të tjerë nuk mund të ketë. Janë këto pesë nominimet, francezët shkojnë si ekip.

Pavarësisht nëse trajneri i Kosovës, Kuka, merr vlerësimin e votueseve apo jo, ai është fitues. Fitues i madh madje. Përfshirja në pesë trajnerët më të mirë të momentit është fitore e mirënjohje e madhe për Kukën, xhudon kosovare dhe sportin kosovar në përgjithësi.

“Driton Kuka ka ndryshuar jo vetëm fytyrën e xhudos, por edhe të kontekstit më të gjerë sportiv në Kosovë. Ekipi i tij i vogël i xhudistëve ka sjellë krenari në vendin e ri. Xhudistët kosovarë kanë vazhduar traditën e fitimit të medaljeve. Në vitin 2021 ekipi i Kukës fitoi dy medalje të arta olimpike. Është një e arritur e pabesueshme, që i shtohet fitores historike të Majlinda Kelmendit në vitin 2016”, ka shkruar IJF-ja në prezantimin që i ka bërë Driton Kukës si njëri prej kandidatëve për çmimin e trajnerit të vitit.

IJF-ja të enjten publikoi nominimet për “IJF Judo Awards 2021”. Për herë të parë, më të mirët i shpall në këtë mënyrë, me votat e lexuesve në sajtin zyrtar të IJF-së. Votohet për Ipponin më të mirë të vitit, trajnerin e vitit, yllin në ardhje të vitit, xhudisten më të mirë, xhudistin më të mirë dhe momentin e vitit 2021.

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është kandidate për xhudisten më të mirë të vitit 2021. Anna Maria Wagner e Gjermanisë, Uta Abe e Japonisë, Jessica Klimkait e Kanadasë dhe Clarisse Agbegnenou e Francës janë “rivale” të saj.

Derisa nominimi i Distrisë është i pritur, shumë lehtë në këtë listë ka mundur të jetë edhe Nora Gjakova, kampionia tjetër olimpike nga “Tokio 2020”.

Është përfshirja e Driton Kukës në mesin e pesë më të mirëve që i jep rëndësi për Kosovën kësaj iniciative të IJF-së.

Ndonëse për një dekadë prej më të suksesshmëve, Kuka deri pas Tokios nuk e ka pasur vlerësimin meritor. Me dy medaljet e arta të Distrisë e Norës, respekti për të në botën e xhudos është rritur shumë. Ai ishte i vetmi trajner që u ftua nga IJF-ja për të diskutuar për rregullat e xhudos për ciklin e ardhshëm olimpik. Dhe tani futet në konkurrencë me trajnerët e tjerë elitarë.

Kuka e ka përjetuar me emocion nominimin që i ka bërë Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

“Përnjëmend jam duke i përjetuar ditët më të mira të jetës sime si trajner. Një vit me kaq shumë rezultate e suksese tani kulmoj me një nominim ku janë pesë trajnerët më të mirë në botë për sivjet. Ky nominim nga Federata Ndërkombëtare është kulminacion i punës. Është vlerësim që më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë dhe po e shijoj këtë moment”, ka thënë Kuka për KOHËN, të enjten mbrëma.

Kuka shton se nominimi është shpërblim tjetër për nivelin kulmor që ka arritur ekipi i Kosovës në xhudo, por edhe ai si trajner.

“Edhe nominimi i Distrisë për xhudisten më të mirë të vitit në botë e plotëson këtë moment jo të vogël”, ka shtuar trajneri pejan.

Pesë trajnerët e përzgjedhur nga IJF-ja e kanë aktualisht fjalën kryesore në xhudon botërore.

“Është një ndjenjë e mirë që të hysh në konkurrencë me trajnerin e Japonisë, të Francës dhe dy trajnerë të tjerë. Të jesh nga Kosova pjesë e këtij grupi, kjo flet shumë. Sinqerisht deri vonë sukseset e xhudos së Kosovës janë parë më ndryshe. Pak është parë puna e trajnerit. Tani me tri medalje të arta olimpike, vlerësimi është në maksimum. Kështu që ky nominim i jep vulë vlerësimit nga Federata Botërore e Xhudos”, ka theksuar Kuka.