Ani pse ende nuk janë certifikuar zgjedhjet, Albin Kurti po sillet si kryeministër i vendit. Këtë sjellje të tij, po e arsyetojnë njohësit e politikës.

Doli nga zgjedhjet si fitues. Albin Kurti u rendit i pari në listë me 185 mije vota nga procesi zgjedhor i gjashtë tetorit.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje mori shumicën e votave në këto zgjedhje.

Por edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga ky proces ende nuk është formuar qeveria e re.

Megjithatë, mandatari eventual, Albin Kurti, nga sjelljet nuk po dallohet fort nga roli i kryeministrit, raporton T7.

Në çdo paraqitje shtetërore e shoqërore prezenca e Kurtit nuk mungon.

Madje nuk ka ndonjë ngjarje madhore që vërehet mungesa e tij.

E njohësit e rrethanave politike e shohin krejt normale këtë sjellje të Kurtit prej kryeministri.

Armend Muja, njohës i çështjeve politike, thotë se Kosova duhet të mbulojë boshllëkun politik pasi që rezultati i zgjedhjeve ende nuk është certifikuar.

Në anën tjetër, analisti Rasim Alija thotë se koalicioni mes LVV-së e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të ndodh sa më shpejt. Ai shton se të dy palët duhet të punojnë në këtë temë.

Ndërkohë Kurti nuk po mban rezerva të kritikave për kryeministrin në detyrë, sidomos për vendimet që ka marrë qeveria në largim e Ramush Haradinajt.

Kurti ka thënë se vendimet e paligjshme të qeverisë në këtë periudhë do të anulohen dhe vendimmarrësit do të thirren në përgjegjësi.

“Vendimi për bartjen e stafit të ministrive të caktuara në objekte private me shuma marramendëse të qirasë mujore; emërimet e paligjshme nëpër shërbime diplomatike; tentativa për të shtyrë përpara një proces tejet të korruptuar dhe të dyshimtë të emërimit të noterëve; gradimet nëpër ministri, ndërmarrje publike dhe agjencione qeveritare, janë disa nga vendimet e dëmshme dhe joligjore të qeverisë në ikje. Ashtu siç qeverisën pa dije e me korrupsion, ashtu duan edhe të ikin”.

Më tej, Kurti ka thënë se po punon që t’i jap fund këtij vakumi institucional.

Ndërsa Kurti ka theksuar se pas tri ditësh do të takohet përsëri me kreun e LDK’së, Isa Mustafa, për t’u marrë vesh për qeverisje.

Ashtu siç kanë thënë edhe dy krerët, takimi pritet të ndodhë pas certifikimit të rezultateve.