Reagimi i ashpër që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori nga ambasadori amerikan, Richard Grenell rreth propozimit për heqjen e pjesërishme të taksës, duke u quajtur si një ‘gabim serioz’, sot ka qenë top-lajm edhe nëpër mediat e huaja,
Mediumet si Neë York Times, Bloomberg e TRT World kanë raportuar se aleati më i madh i Kosovës, tashmë po tregohet i ashpër me Kryeministrin e ri, Albin Kurti.

“Masa gjysmake e propozuar nga Albin Kurti u kundërshtua nga Richard Grenell, i cili e quajti këtë një gabim serioz nëse taksa nuk hiqet plotësisht”, kështu shkruan Trt World.

Ndërkaq, sipas mediave amerikane, New York Times e Bloomberg, SHBA’të janë treguar kritike si kurrë më parë me shefin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre Kurti është nën ‘presion të zjarrmishëm’ si nga Amerikanët, ashtu edhe nga partitë politike të tjera këtu në Kosovë.

Duhet theksuar se LDK, partneri në koalicion i VV’së, njihet për qëndrime më pro-amerikane dhe është shprehur e gatshme që taksa të hiqet dhe të mos vendoset asnjë masë reciprociteti.

PDK në anën tjetër si parti opozitare, propozimin e Kurtit e ka quajtur si të vjedhur nga vet kjo parti, të cilës ua kishte kundërshtuar dikur.

Ndërkaq, paraardhësi i Kurtit në karrigen e kryeministrit, Ramush Haradinaj, e ka quajtur ‘Albin Mashtruesi’, duke thënë se do të kërkojë nga ai llogari tash, për dështimet e Kosovës.

Ndryshe, vlen të theksohet se aleatët perëndimor të Kosovës kanë bërë thirrje të vazhdueshme që të hiqet taksa 100 përqind, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi të rikthehen në tavolinën e dialogut për një marrëveshje finale.