Më tepër se një shekull më parë, udhëtarja, shkrimtarja dhe antropologia britanike, Edith Durham, shkroi se fshatrat e vegjël në Alpet Shqiptare ishin një “izolim magjepsës nga bota”. E sot, izolimi është avantazhi më i madh i këtyre fshatrave, pasi vitet e fundit, vendasit kanë filluar të krijojnë një model unik turizmi, larg nga turizmi masiv, e të ndihmuar njëherazi nga vendndodhja gjeografike dhe historia e pasur.

Personazhi ynë i Konica.al është narratori i Kullës së Ngujimit dhe mikpritësi, në Theth, Sokol Koçeku (nip i Zef Koçekut, – i cili pothuajse një shekull më parë ka qenë i fundit që ka zbatuar Kanunin e Lekë Dukagjinit) ndërsa video është shkëputur nga sezoni i dytë i emisionit në TVSH: “Çfarë më ofron”.

Sokol Koçeku është 43-vjeçar dhe për turistët ai është një personazh i njohur për këtë zonë, në Luginën e Shalës. Koçeku ndihet me fat që ka trashëguar një kullë që shërbente dikur si “gjykatë” në atë kohë kur ligjet e Kanunit qeverisnin zonën. Është e njohur ndryshe edhe si një kullë mbrojtëse e ndërtuar katër shekuj më parë, – një vend që ofronte mbrojtje ndaj fajtorëve për një krim, derisa pleqtë e zonës të vendosnin se si do ta gjykonin.

“Gjyshi i ka rënë, edhe babai im po ashtu”, është shprehur Koçeku teksa rrëmben një gjethe frashri dhe nis e të shpjegojë se ajo është melodia e parë shqiptare. Për turistët që kërkojnë ta provojnë ai e kthen me shaka “që duhet të rrish nja pesë vite me mua dhe më pas të mësosh t’i biesh melodisë me gjethe. Ndërsa e pyet pse me gjethe frashri, Sokol Koçeku thotë se, “…thjesht e kisha më afër”, pasi i bie fletës, apo gjethes/gjethit, një muzikë baritore shumëshekullore, e përdorur kryesisht nga barinjtë e Thethit, zonave të thella të Nikaj-Mërturit, Kelmendit apo edhe në Malësisë së Rugovës.

Dihet se lahuta është vegla më e vjetër shqiptare, por sipas muzikologëve, gjethja apo fleta, është akoma më e vjetër, ku njeriu ka krijuar tingujt muzikorë. Sipas atyre që luajnë këtë “instrument natyror”, mund të jetë një gjethe çfarëdo, por e këshillueshme është gjethja e ahut, frashrit apo ndonjë peme tjetër e cila ka gjethe të madhe.

E ashtu si shpirti i malësorit që do këngë, valle, melodi dhe instrumente popullore, ashtu edhe ata, thethianët, i krijojnë vetë si këngët dhe meloditë, por edhe instrumentet. Aty janë krijuar e kënduar brez pas brezi këngët e majëkrahut, këngët me lahutë, këngët kreshnike, këngët e dasmave, këngët e djepit, këngët e kapuçave dhe putirat, vallet dhe lojërat popullore.

Janë krijuar, treguar e trashëguar fjalë të urta (të lanune pleqni) gjëegjëzat, përrallat, tregimet, legjendat, për zanat e malit (shtojzovallet), e shumë të tjera. Këngët dhe vallet janë krijuar, pasuruar e kënduar, duke u shoqëruar me lahutë, çifteli, fyell, gjethe, tepsi, pipëz, apo vegla të tjera, të cilat janë punuar vetë nga dora e mjeshtërve popullorë thethianë, e jo vetëm, por krejt malësisë së Shqipërisë. Kësisoj, edhe “gjethja”, në dukje një gjë e gjindshme ngado në fusha apo male, është një instrument perfekt melodioz, nëse e zotëron atë mirë dhe me pak praktikë.

Përpos historisë, të cilën Koçeku “e di në majë të gishtave”, vizitorët e huaj dhe vendas të kësaj Lugine paguajnë nga një euro për të hyrë në kullë, ndërsa Sokoli u flet për historinë e kohës, kur Kanuni qeveriste njerëzit e zonës.

“Kanuni nuk ekziston më, por ne mund t’ia tregojmë historitë e tij turistëve. Jam i lumtur që paraardhësit e mi nuk ranë kurrë dakord që ta shisnin kullën dhe është detyra ime ta mbaj të hapur për publikun”, thotë Sokoli.

E me tarifën e hyrjes në këtë “kullë muzeale” ai thekson se paratë e mbledhura do të shkojnë në investimin dhe rikonstruktimin e kullës. Por një tjetër pasion i Sokolit na shtyn të “gërmojmë më shumë”.

Kulla e ngujimit

Kulla trekatëshe është një Kullë unikale, në gjithë trojet shqiptare.

Ajo njihet me emrin “Kulla e Ngujimit”, të cilën e përmend edhe Edith Durham në përshkrimet e saj, e po ashtu edhe Baroni Nopça, apo At Shtjefen Gjeçovi, mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, apo Kanunit të Maleve.

Çdokush që e dëgjon toponimin “Kulla e Ngujimit”, mendon se cili apo cila familje e ngujuar ka jetuar aty? Por kjo është një përshtypje e gabuar. Kulla në realitet ka pas një funksion krejt tjetër. Kur janë vrarë malësorët mes njëri-tjetrit, atëherë, sipas Kanunit, “njerëzit kanë ra në gjak!”.

Pas vrasjes janë thirrur pleqtë, njohësit dhe zbatuesit e Kanunit të Lekës. Nga ana e pleqve është kryer hetimi, si ka ndodhur vrasja, rrethanat “e sa gjaqe mund të ishin hapur”. Gjatë procesit të hetimeve, personi që ka bërë vrasjen është sjellë i çarmatosur dhe i shoqëruar me roje te kjo Kullë, ku është mbajtur i mbyllur dhe është marrë në pyetje nga pleqtë se si ka ndodhur vrasja!

Pra, Kulla e Ngujimit ka luajtur rolin e paraburgimit të sotëm, ndërsa pleqtë luanin rolin e gjykatësit, ndërsa djemtë e rinj që ruanin Kullën, rolin e policisë! Thjesht, ky ishte Kanuni që sot “përkthehet’ në Kodin Penal të kohës, në kushtet e mungesës së shtetit, si rregullator dhe vendosës i drejtësisë përmes ligjit, i pranuar nga të gjithë!

Më tej, në odën e Kullës, silleshin burrat e familjes të së vrarit! E në praninë e tyre sillej një foshnjë djalë në djep, ndërsa djepin e vendosnin përmbys me foshnjën me kokë poshtë! Fëmija në djep nuk mund të rrinte gjatë ashtu, pasi nëse nuk sillej mbarë, foshnja vdiste. “O Filani!”,- i thoshin pleqtë të afërmit të të vrarit. “A po e fal këtë kërthi, a po e len me vdekë!?”… E kësisoj, të gjithë rrinin në ankth duke pritur çka do thoshte plaku i palës të vrarë!…Një rast të tillë e ka përshkruar edhe Edith Durham, e cila ka qenë vetë aty e pranishme një shekull më parë…

Thethi

Emërtimi i Thethit vjen nga shprehitë: “Në ata thepa, kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa, për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si : “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës”, e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj” (kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka më shumicë, si për shembull: “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, “Kuji i Nënave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave”, etj.

Në veri të Luginës së Shalës, rreth 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, mes kurorës mahnitëse të maleve të larta, në zemër të Alpeve “fshihet” lugina e lartë e Thethit, – një nga zonat më të veçanta, 759 deri në 950 metra mbi nivelin e detit. Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Sheniku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, maja e Zezë dhe Maja e Zorgjit, që gërshetohen në një reliev që të zgjojnë kureshtjen për ata që adhurojnë turizmin malor.