Samiti i Ohrit, apo i quajtur ndryshe “Mini Schengeni Ballkanik”, ka mbledhur gjatë fundjavës treshen politike: kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Liderët e Ballkanit Perëndimor në Ohër të Maqedonisë së Veriut kanë diskutuar iniciativat për vendosjen e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

Por, pjesë e këtij samiti nuk ishte Kosova.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke konfirmuar mospjesëmarrjen në këtë samit ka thënë se ky vendim vjen për shkak të anashkalimit që i është bërë Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad, me nismën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Thaçi ka potencuar se nuk mund të jetë pjesë e takimeve të këtilla rajonale përderisa Serbia dhe Bosnja nuk e njohin Kosovën.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e ka mirëpritur këtë vendim të palës kosovare, duke thënë se Kosova është vetëpërjashtuar nga ky samit. Rama ka theksuar se Kosova në pesë vjetët e fundit ka marrë pjesë në nisma të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, së bashku me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, edhe pse ato nuk e kanë njohur Kosovën.

Samiti i Ohrit ka krijuar zhurmë të madhe nga liderë të partive politike në Kosovë, analistë dhe politikanë të tjerë. Iniciativa e Mini-Shengenit është pritur kryesisht me tone negative në Kosovë.

Por, ndryshe mendon gazetari shqiptar Mero Baze.

Në një bisedë me Periskopin, Baze thotë se mospjesëmarrja e Kosovës mund ta djeg shansin për heqjen e kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, Mini Schengeni po kundërshtohet nga patriotët e rremë që e kanë frikë heqjen e këtij kufiri.

“Samiti i Ohrit nuk është mbledhur t’i prish punë Kosovës, por për katër parime. Mospjesëmarrja e Kosovës i prish punë Shqipërisë pasi djeg shansin që të bëhet heqja e kufirit Shqipëri- Kosovë. D.m.th., gjithë demagogët patriotë që 70 për qind të biznesit në Kosovë e kanë me Serbinë thjesht po vajtojnë se mos heqin kufirin me Shqipërinë. Kaq humbet Kosova dhe Shqipëria nga mungesa e Kosovës në këtë Samit. Por, ky ishte një proces i hapur dhe mund të ndryshojë mendje rrugës. E rëndësishme është që të krijohet klimë reale rreth qëllimeve të katër parimeve themelore dhe jo të dëgjojmë jugosllavologë që të na tregojnë se po ngjallet Jugosllavia. Shqipëria s’ka qenë ndonjëherë në Jugosllavi dhe nuk ka çfarë ngjall. Nëse ndonjë nostalgjiku i kujtohet Titua – le t’i mbajë lotët. Kjo është një përpjekje për të marrë mbështetje evropiane për problemet e Ballkanit dhe konkretisht tonat dhe jo një përvojë jugosllave për Europën”, thotë Baze.

Duke i përmendur anët pozitive të Shengenit të Ballkanit, publicisti Baze shprehet kjo është një përpjekje për zgjidhjen e problemeve lokale dhe se assesi nuk duhet të shihet si një proces politik që lidhet me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Shengeni Ballkanik është një përpjekje e secilit vend ballkanik për ta përdorur mbështetjen perëndimore për zgjidhjen e problemeve lokale. Ideja është të përdoren katër parimet bazë të lirisë evropiane për t’i zgjidhur problemet mes njëri tjetrit. D.m.th., duke u mbështetur tek parimi i lëvizjes së lirë, parimi i qarkullimit të lirë të mallrave, parimi i qarkullimit të kapitaleve dhe parimi i lirisë së fuqisë punëtore – gjashtë vendet e Ballkanit bien dakord t’i aplikojnë këto me njëri tjetrin. Ju e mbani mend, besoj, pesë vitet e fundit spektaklin patriotik të Ramës me Thaçin, Mustafën e Haradinajn për heqjen e kufirit Shqipëri – Kosovë. Sa herë thuhej – nuk bëhej kurrë, pasi BE dhe SHBA ndiznin llambën e kuqe për shkak të protestës së Serbisë. Në këtë kuadër mund të bëhet. Po ashtu, Serbia e ka më lehtë për të biseduar në këtë kuadër dhe t’i pranojë këto katër parime dhe për Kosovën. Është një proces që duhet ndarë nga guaska politike e bisedimeve Kosovë- Serbi për njohjen”.

“Natyrisht, jo të 6 vendet janë të afta t’i aplikojnë të katër parimet. Fjala vjen, Bosnja nuk është gati ta pranojë lëvizjen e lirë me Serbinë. Por kjo s’duhet ta pengojë të tërën. Duhet shkuar deri tek muri për çdo liri themelore me mbështetje të Perëndimit. Pastaj t’i çajmë muret, jo fantazmat që na duken mure”.

I pyetur nëse afërsia e Edi Ramës me presidentin Aleksandar Vuçiq është intensifikuar në një kohë të gabuar, kur raportet në mes Kosovës dhe Serbisë janë në pikën më të ulët sa i përket arritjes së një marrëveshjeje, Baze thotë se nuk është i këtij mendimi.

Sipas tij, secili kryeministër i Shqipërisë e ka për detyrë të kërkojë në vazhdimësi nga Serbia që ta njohë Kosovën dhe kjo gjë ka ndodhur.

“Kryeministri shqiptar nuk mund të shihet as si baba e as si njerk i Kosovës, por detyrimisht si një kujdestar i saj”.

“Vuçiq dhe Rama janë bërë bashkë në kuadrin e Iniciativës së Berlinit prej vitit 2014. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi s’kanë qenë kurrë të mira, as kur Rama shkoi në Beograd, as kur kërkon njohjen e Kosovës në çdo takim me Vuçiqin”.

“Shqipëria nuk duhet parë si një vend që ka paternalizmin mbi Kosovën, por si një vend që mbështet aspiratat e Kosovës. Edi Rama dhe çdo kryeministër tjetër kanë detyrë të kërkojnë njohjen e Kosovës nga Serbia. Këtë nuk duhet ta ndajnë kurrë nga agjenda e tyre. Dhe besoj e kanë bërë. Të tjerat janë folklorizma demagogësh të cilët e duan kryeministrin e Shqipërisë herë si Baba të Kombit, herë si kryeministër të një vendi fqinj. Në fakt, institucioni i kryeministrit të Shqipërisë është i detyrueshëm të jetë kujdestar i Kosovës. As babë, e as njerk i saj. Pastaj, a qesh a qan kur takon Vuçiqin e çfarë barcoletash tregojnë janë debate njerëzish që ndoshta ëndërrojnë të jenë vend të Ramës në atë tavolinë, por atë nuk e vendos Vuçiqi, mirëpo shqiptarët”, ka thënë në fund Baze.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se takimi i radhës i Samitit të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor. Ai ka theksuar se aty duhet të jenë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.