Kryeministri Rama ka përcjellë këtë të hënë një mesazh të gjatë si të fundit komunikim për vitin 2019.

Mes të tjerash, kryeministri ka folur dhe për veten, duke thënë se jo vetëm që nuk është i rënë nga qielli, por mendon se bën më shumë gabime se shqiptarët e zakonshëm për shkak të morisë së vendimeve që i duhet të marrë. Më tutje, kryeministri thekson se nuk është politikan që gënjen për vota, por politikan që lufton për bindjet e tij.

Rama: Unë nuk jam i rënë nga qielli. Nuk kam menduar se jam pa të meta, përkundrazi kam më shumë se ju, ndoshta se jam me i gjatë se ju. Jam më i gabueshëm sesa ju, kjo edhe për shkak të detyrës, pasi më duhet të marrë më shumë vendime se ju, por asnjëherë nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm.

Kush punon me mua e di se unë nuk këmbëngul ndonjëherë në një rrugë të gabuar. Nuk e kam të vështirë të kërkoj ndjesë. Mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike kur është dashur.

Jo të gjitha gjërat që kam premtuar, i kam mbajtur në kohë. Ka edne ndonjë premtim që nuk kam arritur ende ta mbaj dot. Nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, por politikan i racës së atyre që i kanë hyrë kësaj pune për ndryshimin.

Pse do duhej të gënjeja të premtoja gjëra që nuk i besoj vet, kur me fuqinë që më ka dhënë zoti, dhe forcën politike që udhëheq, kundërshtarët do i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë. Balta e pafundmeve për hajdutëria e pisllëqeve nuk më përket. Gjysma e të vërtetës është se unë nuk jam i varfër, por nuk kam ëndërruar të bëhem i pasur.