Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët me anë të një video mesazhi. Sipas kreut të shtetit, zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen europiane dhe standardet e saj!

“Çdo shqiptar i ndershëm dhe punëtor kërkon më shumë shpresë dhe meriton mirëqenie, por edhe ndihmë, përkrahje e mbështetje, për të ndërtuar një jetë të denjë dhe një të ardhme të sigurt në Atdheun tonë. Secili prej jush meriton më shumë pozitivitet, një Shqipëri më të drejtë, më të dashur, më të dhembshur dhe më njerëzore. Dhe kjo në radhë të parë kërkon një Shqipëri përfshirëse dhe më të bashkuar, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik”, thekson presidenti në mesazhin e tij.

Sipas tij “nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë!”