Duda Balje, deputete e Kuvendit të Kosovës, i ka dërguar një kërkesë Presidencës së Bosnje-Hercegovinës që të hapet Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Sarajevë.

Përfaqësuesi i Republikës Serbe dhe anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, ka pohuar se kjo nuk do të ndodh dhe se nuk do të hapest zyra e Kosovës në Sarajevë, raporton rts.

“Kjo kërkesë nuk arriti te unë dhe nëse arrin në Presidencë, sigurisht që nuk do të ndodhë. Ne nuk do të hapim asnjë zyrë. Bosnja nuk e njeh Kosovën dhe vendimi i fundit i Presidencës e tregoi atë”.

Kujtojmë se deputetja në kërkesë e saj kishte deklaruar se ajo nuk është njohje e Kosovës, por lehtësim për lëvizjen e qytetarëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike dhe marrëdhëniet midis Bosnjës dhe Kosovës, dhe pasojat politike që kanë lindur si rezultat i kësaj, por ne kërkojmë të drejtat themelore të njeriut për lirinë e lëvizjes, të cilat do të jenë qëllimi themelor i kësaj Zyre, si dhe zgjidhja e problemeve të përditshme të qytetarëve”, pohoi ajo.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës në arritjen e këtij qëllimi. Ne do t’iu drejtohemi të gjitha institucioneve ndërkombëtare deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, të gjitha me qëllim që mos t’i politizojmë këto çështje teknike pa ndonjë arsye”, pohoi Balje.