Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas tragjedisë në Deçan, ku një autobus me nxënës u sulmua me armë zjarri dhe ndrruan jetë tre persona, në mesin e tyre edhe dy nxënës.

Ai ka njoftuar se është nisur menjëherë për në Deçan, pasi ka marrë njoftimin për rastin. Si dhe ka shkruar se Policia është në angazhim maksimal që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë.

Postimi i plotë

Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore. Jam thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal që ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit.

Bashkëndjejmë me familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre dhe lutemi për shërimin e të plagosurve.

Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan. Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit publik. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë.