Qeveria e Kosovës do të shpenzojë 1.1 milion euro për tu mbrojtur nga ish-deputeti i PDK-së, Bedri Selmani që po i kërkon 65 milionë euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar.Selmani këto miliona po i kërkon si kompensim për dëmet e pretenduara nga ai për “shpronësimin e investimeve” për hotelin “Victory”, AutoPrishtina – AutoKosova dhe pompat e benzinës “Kosova Petrol”.Rasti ishte dërguar në Arbitrazh nga Selmani pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte larguar nga pronat shoqërore: Hotel VIctory, AutoPrishtina-AutoKosova dhe disa pompa të benzinës “Kosova Petrol” që ishin të shtrira në disa qytete të Kosovës. Largimi nga këto prona është bërë meqë AKP-ja që menaxhon me pronat shoqërore e ka konsideruar uzurpator ish-deputetin e PDK-së, Bedri Selmani.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët, sot ndërmori aksionin për lirimin e asetit të Ndërmarrjes Shoqërore “AutoPrishtina”, i njohur si Hotel Victory dhe të disa aseteve të tjera të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në komunikatën e AKP-së të lëshuar me 3 qershor 2016.Bedri Selmani e ka dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.Qeveria Haradinaj, më 19 korrik 2019, e kishte autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që drejtohej në atë kohë nga Abelard Tahirin e PDK-së, për inicimin e procedurave të negociuara pa publikimin të njoftimit për kontratës për përzgjedhjen e përfaqësuesit të autorizuar për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh ndaj Bedri Selmanit.Ministria e Drejtësisë procedurat e prokurimit i ka finalizuar rreth nëntë muaj pas vendimit të Qeverisë dhe gati 1 vit pas parashtrimit të padisë së Selmanit në Arbitrazh. Dhe në arsyetimin e tyre se pse ky aktivitet nuk është përfshirë në planin e prokurimit thuhet se padia ka ardhur në mënyrë të paparashikuar.

“Kontraktimi i shërbimeve të këshillimit – përfaqësimit ligjor në procedura të arbitrazhit ndërkombëtar nuk është një aktivitet i prokurimit pasi është shfaqur/paraqitur si nevojë në mënyrë të paparashikuar si pasojë e një padie të një palë të tjetër (paditësi) ndaj Republikës së Kosovës (e paditura). E paditura nuk ka pasur njohuri dhe nuk ka mundur të planifikojë këtë aktivitet të prokurimit paraprakisht pasi nuk ka pasur as të dhëna dhe as indikacione që do të paditet në Tribunalin e arbitrazhit”, thuhet në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve të Ministrisë së Drejtësisë.Ministria e Drejtësisë ka rekomanduar kompaninë amerikane “Squire Patton Boggs” me adresë në Neë York për ta mbrojtur Republikën e Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar ndaj biznesmenit Bedri Selmani. Kompanisë ‘Squire Patton Boggs’ në vitin 2009 i ishte bashkuar Frank Wisner, ish-emisar amerikan për bisedimet për statusin e Kosovës. Kjo kompani ka fituar edhe kontrata të tjera nga institucionet e tjera të Kosovës për mbrojtje në Arbitrazh apo lobim.Në bazë të dosjes së Ministrisë së Drejtësisë del që oferta fillestare e kompanisë amerikane ishte 1.9 milionë euro, apo rreth 1.3 milionë euro më shumë se buxheti i ndarë nga ministria për këtë kontratë. Ministria e Drejtësisë i kishte ndarë 600 mijë euro për këtë kontratë. Pas negociatave, ministria e Drejtësisë thotë se kanë arrit me ulë vlerën e kontratës në 1.1 milionë euro, që prapë është dyfishin e planifikuar.“Kjo procedurë është e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ku vlera e parashikuar ka qenë 600 mijë euro kurse oferta e dorëzuar fillestare nga operatori ekonomik ka qenë në vlerë 1.89 milion euro kurse pas përfundimit të negociatave çmimi përfundimtar është arritur të jetë në vlerën 1.1 milion euro”, thuhet në vendimin e Ministrisë në të cilin ka njoftuar se kompania “Squire Patton Boggs” është shpërblyer me kontratë.Kjo kontratë, e cila ka shkuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, do të zgjasë 3 vite.Sipas Ministrisë, mjetet janë të zotuara pjesërisht për vitin 2020, në vlerë prej 370 mijë euro kurse pjesa tjetër do të jetë në dispozicion varësisht prej kërkesës dhe përmbushjes së obligimeve nga ana kompanisë së kontraktuar, ku këto mjete janë të parapara me planin buxhetor të Ministrisë së Drejtësisë.Në këtë deklaratë të Ministrisë së Drejtësisë gjithashtu thuhet që Republika e Kosovës si palë e paditur përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore, e cila nuk ka kapacitetet përvojë dhe ekspertizë për të përfaqësuar proporcionalisht dhe denjësisht Republikën e Kosovës në procedurë të arbitrazhit ndërkombëtar.“Përmes këtij aktiviteti të prokurimit jo vetëm që sigurohet përfaqësimi brenda afateve të ngushta kohore të përcaktuara nga Tribunali i arbitrazhit, mirëpo mbi të gjitha garantohet që interesi i Republikës së Kosovës të mbrohet nga një përfaqësues i cili ka përvojën dhe ekspertizën e duhur për të përfaqësuar në ICC”, vazhdon deklarata.

Në deklaratën e Ministrisë theksohet se në rast të humbjes së rastit e cila ka më shumë probabilitet të ndodhë nëse Republika e Kosovës përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore implikimet në buxhetin e Kosovës janë tmerrësisht të mëdha dhe të rënda.“Kjo mund të shmanget në rast të kontraktimit të një firme me përvojën dhe renomenë e duhur për përfaqësim ligjor në ICC. Ministria e Drejtësisë dhe Republika e Kosovës si palë e paditur në këtë procedurë, gjendet para një situate emergjente, kryesisht si pasojë e afateve të ngushta kohore për ndërmarrjen e veprimeve ligjore për përzgjedhjen e një përfaqësuesi të autorizuar për mbrojtjen e interesave shtetërore në rastin në fjalë”, përfundon deklarata.KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me padinë dhe kompensimin të cilin e kërkon Selmani nga vajza e tij, Mimoza Selmani, e cila ka qenë edhe menaxhere në hotel “Victory”, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.Në një nga postimet e saj në Facebook, më 26 shtator 2019, ajo ka përmendur padinë në Arbitrazh duke shtuar se do t’i kushtoj taksapaguesve të Kosovës hiq më pak se 65 milionë euro.“Kjo shifër është vetëm vlera preliminare e dëmeve që është përcaktu nga vlerësuesi gjyqësor për dëmet qe i keni shkaktu biznesit tonë”, thuhet në postimin e Selmanit.Gazeta Jeta në Kosovë raportoi së pari më 9 prill 2012 se Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për administrimin e të gjitha ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend, e përshkruante Kosova Petrol-in në një raport të vitit 2011 si ndërmarrje okupuese të pronës shoqërore pasi kompania figuronte 23 herë si okupues i pompave të INA-s në pika të ndryshme të vendit. Selmani ishte deputet i PDK-së në periudhën 2001-2004 si dhe përfaqësues për Kroaci i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në vitin 2016, Policia e Kosovës ia ka vënë shiritat hotelit “Victory” dhe ia ka kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit. E njëjta e ka nxjerrë në shitje përmes likuidimit ndërmarrjen Auto Prishtina, pjesë e të cilës është edhe hoteli “Victory”, ku tash janë të vendosur Policia e Kosovës.Vajza e Bedri Selmanit, Mimoza Selmani, si menaxhere e këtij hoteli pati thënë për media se bastisja e hotel “Victory” është bërë pa vendim gjyqësor.Ajo shtoi se hotel “Victory” është investitor legjitim me të gjitha dokumentet e nevojshme.“Ne jemi investitor legjitim më të gjitha dokumentet të cilat i kanë parë edhe policia dhe dje parimisht është pajtuar me to ka kërkuar që ta ndalojnë këtë proces për shkak se e kanë parë se ne kemi kontratë shfrytëzimi, e kemi regjistrimin e ARBK, i kemi investimet e audituara të cilat janë të pranueshme për proces të likuidimit”, kishte thënë Mimoza Selmani.