Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar padi ndaj televizionit publik të Kosovës, pas fabrikimit të një lajmi të rrejshëm për prokuroren nga Peja, Valbona Disha- Haxhosaj.

Haxhiu këtë paralajmërim e ka bërë nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Ajo ka theksuar se nuk është kundër artikujve kritik, por sipas saj lajmi i RTK-së, është ‘Fake News’

“Me qëllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështetjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar”, ka shkruar Haxhiu.

Nuk jam aspak kundër lajmeve e artikujve kritikë, por vërtetë janë bërë shqetësuese artikujt pa asnjë fakt e argument që…

Posted by Albulena Haxhiu on Friday, April 23, 2021

Ndryshe, sot Portali i RTK-së ka publikuar një artikull ‘fake-news’ dhe denigrues për ta sulmuar një nga prokuroret më të njohura për guximin e saj dhe zbardhjen e disa prej rasteve mizore më të bujshme në vend. Fjala është për prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj, që së fundi është propozuar për anëtare e provimit të jurispodencës.

Në lajthitje të këtij lajmi të rremë të shpërndarë nga portali i RTK-së kanë rënë edhe shumica e mediave tjera serioze në vend të cilat e kanë transmetuar lajmin.

Sipas RTK-së, Prokurorja në fjalë është shpërblyer me këtë post nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për arrestimin e Kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Por e vërteta qëndron ndryshe.

Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj në karrierën e saj jo që asnjëherë nuk është shpërblyer për punën e guximshme të saj, përkundrazi ajo është sulmuar penguar në disa raste dhe është sulmuar vazhdimisht nga grupet kriminale shkaku i punës së saj në zbardhjen e disa prej mizorive më të rënda në vend.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’, në nëntor të vitit 2019, kishte botuar një profil të kësaj prokuroreje me titullin “Prokurorja sypatrembur nga Peja që zbardhi vrasjen 100 mijë frangëshe”.