Ministrja për integrime evropiane në qeverinë serbe Jadranka Joksimoviq ka thënë se ditëve të fundit shumë “non-papera” janë duke qarkulluar nëpër media, edhe atë për tema shumë të ndjeshme, dhe ato shërbejnë për matjen e pulsit të subjekteve të interesuara si rajonale ashtu edhe ndërkombëtare.

Joksimoviq pretendon se për të dyja temat e atyre “non-paper-ve”, Serbia ka kornizat e qarta, dhe prioritetet janë anëtarësimi në BE, paqja, bashkëpunimi dhe lidhja e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Të gjitha iniciativat tona, posaçërisht ato të presidentit Vuçiq, kanë shkuar dhe po shkojnë pikërisht në atë drejtim. Lidhur me çështjen tjetër, dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili po zhvillohet nën mbikëqyrjen e BE, si dhe detyrimet e qarta dhe të nënshkruara nga Marrëveshja e Brukselit, janë korniza të vlefshme për ne”, ka deklaruar Joksimoviq.

Ministrja serbe thotë se pulsi i Serbisë mund të matet për këto çështje, sepse, sipas saj, “gjithçka është bërë me mirëbesim dhe me respekt të marrëveshjes dhe parimeve”.

“Ne e presim këtë edhe nga të tjerët”, ka thënë Joksimoviq.

Joksimoviq shtoi se “kushtet në të cilat Serbia do të bëhet anëtare e plotë e BE-së janë definuar në kornizën tonë të negociatave”.

“Në të shkruan qartë se para hyrjes në BE nevojitet një lidhet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. BE ka detyrim të neutralitetit të statusit dhe nuk merret me njohjen ose mosnjohjen, këtë e bëjnë shtetet anëtare, ka pretenduar Joksimoviq.