Mozaiku i Tiranës, thesar i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit është kthyer në identitet.

Pas një muaji pune të kujdesshme, që kërkonte shumë durim e pasion, përfundoi restaurimi i këtij monumenti kulture i kategorisë I. Ky monument është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga puna për restaurimin e këtij mozaiku.

“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër thesar të trashëgimisë kulturore të dalë në dritë në zemër të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Punimet restauruese përfshinë konsolidimin, larjen, rivendosjen e teserave, mbushjen e fugave, pastrimin sipërfaqësor me anë të kompresave me karbonat amoni, trajtimi i lakunave.

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit. Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materialit dhe teknikës së përdorur i përket artit paleokristian.

Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absidën gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llaç, gëlqere dhe pluhur tjegullash.