NGA: NASHO BAKALLI

U bënë thuajse pesëdhjetë vite qysh se shkela për të parën herë tokën shqiptare të Kosovës. Mësova atje shprehjen “Na kanë ndarë për së gjalli”. Nuk i’a rroka në çast përmbajtjen. Isha fare i ri në moshë, në mendimin politik. Paç mbërritur në Kosovë nga Shqipëria ku pushtuesit qenë shporrur, me luftën nacional clirimtare, 25 vite më parë. Jetonim në paqe me njëri tjetrin. Nuk ishte gjë e vogël. Duket e tillë kur e ke paqen, jo kur të mungon? Kur je i detyruar ti nënshtrohesh shkjaut që të ka shkëputur dhunshëm nga trupi i nënës me pretendimin se një pjesë e shtatit të saj, Kosova, nuk është Shqipëri por është Serbi, pjesë e shtatit të një gruaje tjetër! A do t’iu vinte mirë serbëve nëse Fuqitë e Mëdha Europiane do ta copëtonin nënën e tyre Serbia, për hesap të fqinjëve të saj, ashtu sikurse e coptuan Shqipërinë në Londër në vitin 1913? Ky lloj arësyetimi ma ndriçoi plotësisht madhështinë epike të fjalëve të thjeshta “Na kanë ndarë për së gjalli”, të cilat dhe i vdekur nuk kam për ti harruar.

Shprehja popullore kosovare “Na kanë ndarë për së gjalli” më erdhi sot në mëndje, krejt e paftuar nga unë, si një histori, si një baladë. Prania e saj është objektive. Sendërtohet me faktin se: ende po ka pengesa të padrejta në kufijtë e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Argumentat, për samësipër, ndahen, në bindjen time, në tre kategori: në konsiderata juridike, historike, dhe politike. Ja, një shembull i freskët. Meqënëse Kuvendi i Shqipërisë, sikurse ai i Kosovës, është një institucion juridik nuk pati arësye që Kuvendi – në rastin e fjalës të mbajtur atje nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – të breshërohej me konsiderata… politike. Konsideratat historike, morale, miqësore do të ishin të gjithëpranuara. Këtë lloj ligjërimi, kanë artikuluar të gjithë personalitetet shtetrore që kanë folur në Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, sipas protokollit të Republikës të Shqipërisë, ishin pikërisht takimet zyrtare, po edhe “kokë më kokë” – me presidentin, kryetarin e parlamentit, kryeministrin – mjediset ku, prej Znj.Osmani, mund të kërkohej, pohohej, mohohej, konsultohej, sugjerohej gjithçka që ajo e vlerësonte politikisht të domosdoshme dhe me interes të ndërsjelltë shtetror. Presidenti, spikeri i parlamentit, kryeministri, pa dyshim, do t’iu përgjigjeshin ekskluzivisht formulave që formonin objektin e konsultimit, sugjerimit, pohimeve, mohimeve… të Shkëlqesisë së Saj Znj. Vjosa Osmani. Të gjithë e dimë se si rrodhi, dhe si u përzie më pas ngjarja në fjalë. Me kaq qoftë. Prandaj populli thotë “Sipas vendit edhe kuvendin”.

***

Në sfondin e klimës tensionuar politike në Shqipëri dhe në Kosovë (thonë se kjo përbaltje e ndërsjelltë po ndodh për shkaqe elektorale!) përdorimi i gjuhës nënçmuese midis shtetarëve dhe në media, ka dalë në plan të parë. Kjo gjëndje ofron pak qetësi për qytetarët, të cilët po ndeshen me vështirësi të panumërta ekonomike dhe sociale në mes të situatës vdekjeprurëse të koronavirusit. Politikanët, në vend që të kultivojnë pa mëdyshje një mjedis të civilizuar ndërveprimi dypalësh, po nxitin ndarjen në deklarime e tyre publike. Mosmarrëveshjet midis aktorëve politik të Shqipërisë dhe Kosovës dalin në pah sa herë bëhet fjalë për gjetjen e mjeteve të nevojëshme për zgjidhjen e shqetësimeve ekonomike, politike, ushtarake, mjedisore, dhe sociale që mundojnë vendet tona, sikurse janë papunësia, pasiguria, varfëria, pabarazia gjinore, krimi… dhe korrupsioni i pandalshëm. Këto sfida, përfshi dhe nacionalizmin e mejhaneve, paraqiten të rënduara, pse? Janë të tilla për shkak të papërgjegjshmërisë, shpirtit të vdjerrun, që shpërfaqin aktorët tonë politik dhe partiak, në të gjitha trojet shqiptare, kundrejt detyrave që ata kanë për kapjen, trajtimin, dhe zgjidhjen e drejtë të problemeve të shqiptarëve. Këto sfida paraqiten të rënduara edhe për shkak të indiferencës klasike të shoqërisë civile, dhe organizmave të tjera humanitare për të ngritur në këmbë shtresën e gjunjëzuar të inteligjencës kombëtare. Sot është dita kur pavarësia politike, financiare, konspirative e shoqërisë civile duhet ta tregojë veten – sesa është ajo e vërtetë, dhe sa i vlen lëkura në treg. E dimë fort mirë se si shitet vringthi lëkura e shoqërisë civile në vorbullën e protestave, rebelimeve, trazirave, por, dimë gjithashtu se edhe vazhdimi i luftës me mjete paqësore nuk i’a ul vlerën shoqërisë civile, nuk e ndalon progresin shoqëror. Paqja, krijon kushtet optimale për progres. Dhuna, prodhon regres. Kjo duhet të ndryshohet. Paqja të mbisundojë, nëse nuk duam rindarje për së gjalli.

***

Ibrahim Rugova, Sali Berisha, Hashim Thaci, Fatos Nano, Albin Kurti, Edi Rama e të tjerë liderë politikë kanë arritur të bëhen udhëheqës – me dhe pa merita. Ka ndodhur, e do të ndodhë. Por, nuk është kjo çështja. Problemi është diku tjetër. Te fakti që këta individë duke ndenjur lart, shumë më lart nga të tjerët – bashkëluftëtarët dhe bashkëpuntorët e tyre, nga populli – po e kanë tejet të vështirë që të ulen poshtë, me këmbë në tokë, kur rrethanat, sot, më shumë se kurrë ua lypin një të tillë veprim. Përballë kësaj vështirësie të gjithë emrat më lart shënuar po i luten fatit në Tiranë, Prishtinë, dhe Hagë që t’iu falë aq fuqi sa ta pranojnë atë që nuk mundën, apo nuk po munden ta ndryshojnë në jetën e tyre, në historinë kombëtare. Po qe se fati i ndihmon, ata do mbeten për mirë në histori; po qe se fati i braktis ata do kthehen, si papritur, në tradhëtarë. Andaj thërrasin në Tiranë dhe Prishtinë “rrofshin tradhëtarët”, “poshtë tradhëtarët”! A ka vend për një tjetër thirrje? Po. Cila është ajo? Le të mësojmë nga kombet e përparuara si SHBA, Kina, Franca, Gjermania, Belgjika, Zvicëra… që ndonëse përbëhen nga disa shtete dhe lloje popujsh… i’a kanë dalë të ruajnë të paprekur unitetin, dhe të tjera vlera të shenjta kombëtare.