Autoritetet kosovare, përkatësisht presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka vendosur t’i thotë “Jo” ftesës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës për takimin e radhës – Mini-Shengeni Ballkanik, i cili do të mbahet në Durrës të Shqipërisë këtë të premte. Mospërfshirjen e Kosovës në iniciativën e treshes Rama – Zaev – Vuçiq e kanë sugjeruar edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësojnë se kjo iniciativë është përjashtuese dhe gjysmake.

Lexo edhe: Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Njohësi i çështjeve të integrimit Besnik Vasolli, duke folur për Mini-Shengenin e Ballkanit i ka thënë se iniciativat për rritjen e bashkëpunimit rajonal janë pozitive, por vetëm atëherë kur arrihet konsensus i plotë rajonal për to. “Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për zhvillimin e gjithë rajonit, për sigurinë dhe për mirëqenien. Pra bashkëpunimi duhet të bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë dhe jo ndryshe. Fakti që iniciativa e Mini-Shengenit nuk është përqafuar nga të gjitha vendet e rajonit tregon se nuk është dhënë kohë e mjaftueshme për ta arritur konsensusin rajonal aq të rëndësishëm, gjegjësisht një Mini-Shengen përjashtues dhe gjysmak nuk i bën nder askujt”, ka thënë Vasolli.

Kësisoj Vasolli vlerëson se metodologjia për krijimin e një iniciative të tillë duhet të rikonstruktohet, me qëllim që të arrihet konsensus rajonal. “Iniciativat e bashkëpunimit rajonal janë të mirëseardhura dhe duhet të ketë më shumë në të ardhmen. Mënyra e vetme për pajtimin rajonal është përmes bashkëpunimit rajonal, dialogut ndëretnik dhe shoqëror, zbardhjen e së kaluarës, harmonizimin e planeve dhe të projekteve të zhvillimit rajonal etj. Por unë mendoj se vendet që promovojnë këtë ide duhet ta rianalizojnë qasjen dhe metodologjinë e aplikuar për krijimin e Mini-Shengenit dhe të sigurojnë konsensus në gjithë rajonin, i cili rrjedhimisht çon në atë që Kosova të trajtohet si një partner i barabartë. Në fund të fundit, Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa duke folur mbi atë se si do të ndikojë iniciativa e Mini-Shengenit në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri Besnik Vasolli ka thënë se meqë të dyja vendet gëzojnë pavarësisë të plotë, si të tilla kanë të drejtë ta refuzojnë ose ta pranojnë çfarëdo nisme rajonale. “Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri tejkalojnë marrëdhëniet rajonale, janë marrëdhënie speciale dhe janë krijuar për shumë vite. Në fund të ditës Shqipëria gëzon sovranitetin e saj dhe ka të drejtë të jetë pjesë e nismave rajonale edhe nëse Kosova mendon ndryshe”, ka potencuar ai.

Ndonëse do të ishte pozitive që Kosova e Shqipëria të kishin një qëndrim unik për Mini-Shengenin, Vasolli thotë se assesi një proces i tillë nuk mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet specifike të të dyja vendeve. “Do të ishte mirë të kishim një qëndrim të harmonizuar, por si dy shtete të pavarura është e kuptueshme që të ketë mendime edhe të ndryshme. Nuk mendoj se Mini-Shengeni po e dëmton Kosovën, kështu që nuk besoj se ndikon negativisht në marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë”, ka thënë Vasolli.