Intervista: Flet spikerja, skenaristja, poetja Angjelina Xhara
Në komunizëm e kam ndjerë veten keq kur bëra një film për fenë
Albert Z. ZHOLI

Para disa kohësh për filmin dokumentar “Skënderbeu i pa gjumë” nga Shoqata kulturore “Pegasi Albania” skenaristja mori titullin “Regjisorja e vitit 2018”,. Angjelina në këtë ditë u shfaq shumë e emocionuar pasi ky film u la disi në harresë nga institucionet shtetërore. Jeta e saj është lidhur me filmin pasi fati e ndihmoi që në rini të shkëputej nga ekrani i televizionit dhe të shkonte në Kinostudio, për të qenë pjesë e brezit të parë të kineasteve në Shqipëri që ka bërë epokë. Ajo në Kinostudio ka me dhjetëra filma. Por edhe sot Angjelina Xhara (Papalilo), vazhdon të krijojë, të shkruajë e të xhirojë filma të ndryshëm.

-Në bisedat me shumë prej figurave të RTSH, në dy librat e mi, emri juaj është përmendur shpesh nga emra të njohur si Stoli Beli, Kiço Fotjadhi etj., si e kujtoni trokitjen në TVSH?

Kjo pjesë e jetës time mbetet pjesa më e bukur, më shprehëse, pasi ishte i vetmi televizion në vendin tonë dhe impakti i tij në gjithë vendim dhe tej kufijve tanë ishte shumë i madh,. Të punoje në atë gjigant të medias fonike dhe vizive në atë kohë ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm. Kurrë nuk e besoja se do isha pjesë e tij, por ja që jeta ka të papritura. Ndihem krenare, e shumë vlerësuar që mbetem një prej spikereve të para të lajmeve në Televizionin Shqiptar.

Por para se të vija këtu kam qenë vetëm 12 vjeç, kur kam marrë pjesë në emisionet e fëmijëve ato emisione që sot mungojnë në televizionet e shumta shqiptare. Koha bëri të vetën dhe më pas, në vitin e dytë në gjimnaz, kam dhënë lajmet direkt të orës 20:00, në atë që njihej si “Revista Radiofonike e Mbrëmjes”. Kam qenë në vitin e dytë në Universitet, më 1969-n, kur unë u bëra pjesë e lajmeve në RTSH si spikerja e parë e TVSH, sepse Vera Zheji, folësja e rrallë në atë kohë nuk donte të dilte si spikere lajmesh, kështu që në ekran u shfaqa unë me folësin Kiço Fotiadhi.

Edhe sot, atë kohë, ato vlerësime i kujtoj me nostalgji pasi kam punuar krahas spikerëve të mëdhenj, Vera Zheji e Haki Bejleri, që sa ecen koha ,i vlerëson më shumë.Tek Rtsh i kishin ngulur syte të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut si i vetmi komunikim radioteleviziv mbarëkombëtar. Më qenë e sinqertë, kur e mendoj, them si e kam bërë ,pasi isha e vogël fare dhe jo vetëm që nuk merrja vesh nga politika por ende nuk kisha atë formim, qe te kuptoja pergjegjesine e madhe te transmetimit te drejtperdrejte. Ajo që më bëri pjesë në këtë Institucion të rëndësisë së veçantë ishte fakti se ne shkollë isha nxënëse e mirë, kisha zë te tingëllueshëm radiofonik, plus paraqitje të mirë, dhe gjithë stafi i TVSH kishin besim tek unë. Një ndihmë të madhe më ka dhene veçanerisht spikerja kryesore, nje profesioniste e vertete, Vera Zheji, qe e falenderoj me gjithe zemer!

-Gjithmonë kur kam zhvilluar biseda me spikeret apo spikerët e TVSH, si me Stoli Beli, Kiço Fotjadhi, Tefta Radi, Dhimitër Gjoka, një nga pyetjet e mia ka qenë se çfarë kishte veshur për herë të parë pasi rrobat atë kohë ishin si me pikatore. E mban mend Angjelina çfarë ka veshur ditën e emisionit të parë?

Ah, si se kujtoj? E kujtoj sikur të ketë ndodhur sot. Kur do shkoja ditën e parë si folëse nga TVSH më bënë dhuratë, apo më kishin përgatitur një fustan të çuditshëm i ideuar apo bërë me tyl të zi por dhe me një pjesë të bardhë nga brenda. Pra bardhë e zi. Nuk më dukej e përshtatshme. U çudita! Se di por nuk ma pranonte shpirti. Më dukej i zymtë. Atë kohë unë isha në kulmin e rinisë, në kulmin e bukurisë, në kulmin ëndrrave. Isha vetem 20 -vjeç! Të them të drejtën e pranova me shumë vështirësi. Nuk ishte në shijen time, por nuk mund ta kundërshtoja. Ishin kohë të tjera.

Unë e vesha shumë pak atë fustan, vetëm disa herë dhe më vonë përdora veshjen time. Më pëlqente shumë një fustan deve, gri i hapur, me një bolero me vija të bardha. Këtë veshje e kisha si modelin tim, që se kishte askush pasi më kishte ardhur nga një pako e tezes së mamasë sime që banonte në Amerikë. Nuk e di si kishte mbërritur tek ne. Ishte periudha që ne i shanim Amerikanët me rrënjë dhe degë. Me imperializmin amerikan hapeshin dhe mbylleshin lajmet, që unë lexoja. Pra mbaja fustan amerikan dhe shaja Amerikën. Ahaaa! Sot duket paradoks apo jo?!

Pra rruga e artit filloi në TVSH, por më vonë u zhvendosët në “Kinostudioa Shqipëria e Re” pse dhe si?

Atë kohë nuk mund të zgjidhje ku do të punësoheshe pasi çdo gjë e organizonte shteti, Kur mbarova shkollën mua së bashku me poeten Vllasova Musta,qe sapo kishim mbaruar Fakultetin Gjuhe Letersi Shqipe, na emëruan në Kinostudio. Ne u gëzuam shume. Kinostudioja ishte një institucion me shumë rëndësi. Ishte shumë i lakmuar. Në fillim fillova punë si redaktore. Atë kohë i jepnin shumë rëndësi redaktimit të materialeve. Asgjë nuk kalonte pa një redaktim perfekt. Nuk të faleshin gabimet. Kërkesa ishte e lartë. Çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës.

Pas disa vjetësh si redaktore fillova punë si skenariste,mbasi kisha shkruar skenare filmash dokumentare,duke mbaruar dhe kursin professional per kete profesion te bukur dhe aq premtues. Skenariste dhe regjisore ka pasur shumë pak femra në Kinostudio. Ishte privilegj në fakt por dhe përgjegjësi e madhe.

Kinostudioja “Shqiperia e re” ishte një Universitet i madh. Aty mësoje shumë cdo dite, me mbledhjet e redaksive, të Keshillit Artistik, te Kolektivit Krijues,etj.Filmi krijohet me bashkpunimin krijues te disa arteve bashke… Kjo ishte vertete një shkollë e madhe.
Caktimi im në Kinostudio ishte fat i madh. Te TVSH-ja do të isha shtrydhur si limoni dhe nuk do të bëja dot ata filma të bukur që kam bërë e bëj. E falënderoj Zotin dhe njerëzit, që hyra ne kete rruge te bukur krijimtarie.

Duhet të theksoj se kam patur si kryefjalë në filmat e mi temën patriotike, atë të traditave kulturore artistike të popullit dhe figurat e shquara. Në tekste shumë here kemi patur emfaze dhe ideologjizim të tepruar, që na vënë pozite të veshtirë, kur shfaqen ndonjëhere në kanalet e sotme televizive. Por nga ana tjeter, tregojne atmosferën e asaj kohe, kur janë krijuar ata filma, pra janë me vlera arkivore.

Kush ju ka përkrahur në hapat e para në Kinostudjon “Shqiperia e Re”

Në Kinostudjo kishte kuadro të përgatitur, të sinqertë, plot dije dhe mirësi. Të parin që dua të përmend është regjisori i madh Kristaq Dhamo. Një intelektual i rrallë, i thjeshtë, i dashur, korrekt që të ndihmonte në çdo detaj, pa përtese. Në atë kohë Kristaqi ishte dhe drejtues artistik i Kinostudios. Sic me ndihmonte mua, po kështu vepronte me gjithë të rinjtë, që fillonin punë në këtë institucion të rëndësishëm. Për çdo film dokumentar ai na udhëzonte, jepte idetë dhe bagazhin e tij në mënyrë shumë profesionale.

Kuadër krijues të rendesishëm për dokumentalistikën shqiptare, që na mesonin ne të rinjëve ishin filmat e mjeshtërve të dokumentarit si regjisoret: Endri Kekon, Ilo Pando, Viktor Gjika, Dhimiter Anagnosti, operatorët e talentuar Sokrat Musha, Agim Fortuzi, Ilia Terpini, etj.

Po them dicka, për mjeshtrin Endri Keko. Shumë i disiplinuar në punë. Shumë vizionar dhe i ditur. Nuk i binte një fjalë poshtë. Njëherë unë lexova një shkrim tek gazeta më e lexuar te “Zëri i Popullit” një shkrim interesant që fliste një nënë që kishte 12 fëmijë dhe e mirëpriste dhe të 13-in. Menjëherë bëra një skenar duke u nisur nga ky shkrim. U entuziazmova. Më dukej si një legjendë. Sa e mbarova skenarin ja paraqita Endri Kekos. Ai nuk më ktheu përgjigje menjëherë por mbas 2 ditesh më thërret dhe më thotë me shumë dashamirësi se tematika është shumë e bukur, gjetja është shumë interesante por më sugjeroi që të shkoja në vend ku banonte kjo nënë, pasi skenari ashtu nga një artikull dilte i thatë, i zbehtë, jo shumë organik. Kishte të drejtë, shumë të drejtë. Kritikë me vend.

Pas disa ditësh organizova një shërbim në Vlorë. U takova me nënën. U habita. Tamam si legjendë. E rrallë. Aty mësova shumë gjëra. Shumë detaje. Kishte të drejtë Keko, ashtu si kisha bërë në fillim do dilte i thatë. Por filmi nuk i shpetoi idealizimit të temës dhe frazave ideologjike, qe e rëndojnë ate, sidomos kur e sheh sot, megjithse në atë kohe u pëlqye shume. Pra këta ishin eprorët e mi, njerëz të ditur, njerëz të heshtur që ta jepnin ndihmën pa asnjë interes. Ishin njerëz të mëdhenj që nuk mereshin me gjëra të vogla. Por ideologjia sundonte në çdo hap të jetës. Ishte sistemi i tillë.
Punën më të madhe une e kam bërë në bashkpunim të ngushte me regjisoret e talentuara Adriana Elini, Vitori Celi, Marjanthi Xhako, Donika Muci, Liri Brahimi.

– Ke bërë ndonjë gabim ideologjik në atë periudhë që të ka kushtuar?

Duke qenë se isha e re në fillim si jepja shumë rëndësi ideologjizimit që përhapte filmi. Jo për gjë por nuk e kuptoja thellë. Merresha më shumë me anën artistike, estetike se atë ideologjike. Një herë isha pjesë e një filmi dokumentar që u bë për uzinën “Enver”. Ishte koha kur ajo uzinë propagandohej shumë si uzinë moderne. Ne duhej të nxirrnim në pah anën moderne të saj, permes histories së krijimit e transformimit nëpër vite. Gjatë xhirimit ne kishim marrë dhe pjesë nga arkivi i Kinostudios. Në dokumentar në një cast dilte në plan të dyte portreti Fiqrete Shehut, gruas së ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Kur bëhej filmi ish-kryeministri kishte afërsisht një vit që ishte vetëvrarë dhe Fiqretja në internim dhe ishte deklaruar si “armike e Partisë”. Situatë e rëndë. Ne ishim një grup prej gjashtë vetesh që do na largonin fishek nga puna. Net pa gjumë. Donin të na çonin 6 muaj në prodhim … Këtu dua të theksoj zemërgjerësinë e të madhit, Dritëro Agolli. Ai pasi e pa tha se është një gabim pa dashje. Pra ishte fjalë e tij që ne shpëtuam. Ishte logjika e tij e ftohtë që nuk u ndëshkuam. Mirënjohje ër këtë poet të madh, që kudo mbillte mirësi. Kjo ndodhi pasi ende filmi nuk ishte shpërndarë në kinematë e qytetit. Sikur të ishte shpërndarë dihej fundi ynë. Ky ishte rasti i parë që e pashë veten shumë ngushtë.

Rasti i dytë ka qenë kur më caktuan në një grup krijues për një dokumentar për luftë kundër fesë. Atëherë feja ishte e ndaluar dhe asnjë objekt kulti nuk ishte i hapur, nuk vizitohej apo nuk frekuentohej. Shumë kisha apo xhami ishin shembur. Ndoshta nuk e beson por edhe në atë kohë unë besoja, nuk e di si kisha një ndjesi të madhe për Zotin. Për këtë i jam mirënjohëse nënës sime që i ndritët shpirti ku është. Ajo më edukoi me respektin ndaj Zotit dhe pse më thoshte që kujdes mos e shfaq këtë respekt.

Pas shumë andrallash dhe dhimbjesh shpirtërore ky film, i ndërtuar nga një ekip i madh krijuesish të kinostudjos, mes të cilëve si redaktore e spikere isha dhe unë, u realizua, me pengun e madh në zemrën time, si kishim ngritur zerin kunder Zotit. Kur e kujtoj pas kaq shumë vitesh habitem. Të vetmin film që nuk dua të kujtoj është ky. Unë kundër zotit? Mos o zot! E dua dhe e respektoj pafundësisht. Kush jemi ne para Zotit?

-Keni pasur fatin të punoni dhe me Xhanfize Kekon si do ta cilësoni?

Së pari dua të them se Marianthi Xhako ishte regjisorja e parë femër. Ajo kishte mësuar profesionin e regjisores dhe ua jepte të tjerave në Kinostudio. Me të kam disa filma, bashkëpunime të suksesshme ku ajo ishte si regjisore e unë skenariste, për shembull për revolucionin e vitit 1924-s ose si njihet Revolucioni historik i tetorit në Rusi. Ndërsa Xhanfize Keko, mbetet një regjisore e famshme e filmave për fëmijë.

Ajo mbetet e pazëvendësueshme në këtë gjini të rrallë. Edhe sot pak shumë pak filma bëhen për fëmijë në atë cilësi dhe përgjegjësi. E veçanta e Xhanfizes ishte se ajo i qëndroi besnike filmit për fëmijë, aty e gjeti veten. Aty këmbënguli dhe kurrë nuk u shpërnda në gjëra të ndryshme apo gjini të ndryshme. Dhe a e dini si filloi jeta e saj filmike? Jo! Thjesht e ka filluar jetën si biletashitëse në një kinema, pasi ishte shumë, shumë e dashuruar shumë pas filmave dhe për këtë studioi në Bashkimin Sovjetik, ku u njoh me regjisorin Endri Keko.

Ata gjetën njeri-tjetrin dhe ndihmuan njeri-tjetrin. Jeta e tyre është shumë e çuditshme. Jetë si në filma për filmin shqiptar. Për mua ajo nuk do zëvendësohet kurë, kurrë se e tillë ishte jeta e saj, e tillë ishte krijimtaria e saj/. Por ka pasur dhe gra të tjera që unë i respektoj në filmin shqiptar si Vitori Çeli, Marianthi Xhako, Adriana Elini, Donika Muçi, figura që u evidentuan me vepra të nivelit të lartë artistik. Ndrësa si skenariste do të veçoj Natasha Lako dhe Vllasova Musta si të rralla dhe të spikatura. Ende ato mbeten të pazëvendësueshme.

Por dua të them se edhe me Agim Fortuzin kam bërë filmin “Qilimat tanë”. Për këtë film kemi shkuar në mes të maleve të Kurveleshit tënd për të xhiruar. Mbaj mend se ne makine kishim marre dhe bustin e Xheladin Beqirit, me pseudonimin “KARADAKU” Unë isha pas dhe mbajta me kujdes gjithe rruges pa fund mes maleve bustin se mos demtohej. Në Kurvelesh ne do xhirronim qethjen e dhenve, do hanim mish te pjekur… si qe Kur e kujtoj kete udhetim ,me tronditje, bam bum, mes maleve, me vjen për të qeshur qesh pasi dhentë, kur shkuam atje ishin qethur dhe mish të pjekur s’hëngra, por u kënaqa me thjeshtësinë e jetës, bukurinë e pritjes të njerëzve të thjeshtë. Një natyrë e mrekullueshme. Njerëz të mrekullueshëm. Vërtet ishte magji. Vend i ashpër me bukuri të rrallë dhe me njerëz heronj.

-Ju për filmin dokumentar “Skënderbeu” nga Shoqata kulturore “Pegasi Albania” morët titullin “Regjisorja e vitit 2018”, si u ndjetë?

E emocionuar dhe e vlerësuar. E mora kur nuk e prisja dhe organizimi në Muzeun Historik Kombëtar ishte mbresëlënës.

Dokumentari interesant mbi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut u realizua së bashku me operatorin e shquar Bujar Kore. Ky film doli në kohën kur në gazetat më të mëdha të Serbisë, kjo figurë botërore cilësohej si serb. Deri aty arrijnë pseudohistorianët serbë, sa dhe Heroin tonë Kombëtar, që gjithë bota e njeh se kush është e “përvetësojnë”. Tema e këtij dokumentari është përjetimi artistik që i kanë bërë brenda e jashtë vendit tonë, figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeut…Ka mbi 600 vite që shkruhen libra për të!

Kryeqytet evropiane mbajnë krenarinë e Heroit Shqiptar, përmes monumenteve e busteve te tij…Muze të njohura në botë kanë piktura monumentale me figurën e kryetrimit të pamposhtur…Gravura madhështore shprehin me një nivel të lartë artistik betejat legjendare…Për Skënderbeun janë bërë filma dhe janë kompozuar edhe pjesë muzikore deri opera…Nga Vivaldi, e Fransua Rabële deri tek Abdulla Grimci.

Duke pasur këtë objekt kompleks për filmin, ne duam të tërheqim vëmendjen, duke u mbështetur veçanërisht në portretin madhështor të Skënderbeut mbi kalë, se ai është i gjallë dhe shumë veprues në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë, kur Shqipëria troket në Evropë. Skënderbeu është i pagjumë për fatet e këtij kombi … Ai është ndërmjetës i madh sepse është mik i vjetër i Evropës. Për 25 vjet rresht Skënderbeu mbrojti qytetërimin evropian dhe krishterimin nga pushtimi osman, me beteja fitimtare të zhvilluara në trojet shqiptare, përmes bashkimit te princërve shqiptarë dhe heroizmit të një ushtrie e populli të vogël që kreu një detyrë te madhe…

– Kush ishte nxitësi, si u realizua dhe kush ju ndihmoi për këtë film për Heroin tonë Kombëtar?

Thjeshtë, operatori i njohur i Televizionit Shqiptar, Bujar Kore, m’u afrua me këtë temë sepse kishte bërë xhirime të shumta të monumenteve të Skënderbeut nga Evropa deri në Amerikën e largët. Me një bashkëpunim të mirë krijues u ngjiz, filmi fillimisht në skenar letrar, që u miratua nga strukturat e RTV Shqiptar, për realizimin me xhirime te mëpastajme të bëra në Shqipëri e jashtë saj.

Kështu xhiruam në mes të Romës, në sheshin “Piaza di Albania”, ku është vendosur monumenti i Skënderbeut mbi kalë, vepër e skulptorit Italian, Romanoli…Në film episodi merr një realizim të plotë me xhirimet arkivale të kohës, kur është bërë inaugurimi i monumentit, në vitin 1937. Që në kohën e Zogut u zhvillua një konkurs i plotë, ku morën pjesë me projektet e tyre 40 skulptorë të huaj. Dokumentari mbas prologut, hapet me monumentin ne qendër të Tiranës, ku bëhet inaugurimi në një miting madhështor.

Më pas jepen te ndërthurura fakte dhe ngjarje kulmore të historisë skënderbegiane, duke kaluar në kuadro të xhiruara në dy muzetë në Tiranë e në Kruje. Kështu vazhdon filmi që theksin kryesor e ve tek krenaria jonë, kur për Heroin tonë legjendar flasin humanistë të mëdhenj evropianë e botërorë. Për Skënderbeun –strateg të fuqishëm e të pamposhtur, por edhe diplomat i madh, flasin arkivat e Vatikanit apo edhe te Stambollit…

Për Capitanus Generalis, flasin me gjuhën e artit të vërtetë, piktorë të mëdhenj të huaj si Rembrand e Delakrua. Flasin për betejat fitimtare legjendare, gravura madhështore gjermane të shek 16-17. Mijëra faqe librash shkruajnë historinë me germa të arta. Vepra e Marin Barletit e shkruar menjëherë pas vdekjes se Skënderbeut do të botohej në Venecia, në vitin 1504 e do përkthehej në të gjitha gjuhët evropiane…

-Filmi fillon me një prolog plot ritëm që tregon emocionalisht e vizualisht, kush është objekti i këtij dokumentari. Për mua, jam e dashuruar me portretin mbi kalë të Skënderbeut, vepër e piktorit te madh shqiptar, Spiro Xega. E kemi përdorur shpesh si lajtmotiv. Ashtu siç kemi përdorur edhe disa kuadro nga filmi rus “SKËNDERBEU”, si pika nevralgjike të dokumentarit. Kemi bërë një konstatim, se shumë piktura të mëvonshme, sikur janë frymëzuar nga aktori rus, Akaki Orava, që ka interpretuar shkëlqyeshëm kryetrimin shqiptar.

Them se kemi krijuar një metaforë emocionale në film me portretin e Skënderbeut, qe i kthyer në atdhe përkulet me aq mall para tokës mëmë, duke e paralelizuar me puthjen që i bën Papa i Romës kësaj toke të lashtë, ne kohët moderne. Tema e Skënderbeut është një temë e pashtershme burimore. Ne realizuam një film, ku spektatori do te mësojë e përjetojë emocionalisht si vjen Skënderbeu në këtë fillim mijëvjeçari. Kohët e fundit, monumentet dhe librat e shkruar për Skënderbeun, tregojnë se sa i etur është shqiptari kudo në botë për lartësimin e një figure të tillë madhore. Intervistat e ndërthurura në dokumentar me studiues, skulptorë e piktorë të shquar, i japin filmit një mbështetje vertebrale. Konsulent i filmit dhe njëkohësisht pjesëmarrës aktiv në tregimin kinematografik, me mendime të fuqishme, është Doktori i Shkencave, Moikom Zeqo.

Personalitete të shquar si historiania e njohur, Dr. Valentina Duka, shkrimtari e studiuesi Ylli Polovina, “Piktori i Popullit” Naxhi Bakalli, “Skulptori i Popullit” Thoma Thomai, “Mjeshtri i madh” Zhani Ciko, me fjalën e tyre përgjatë filmit, sjellin emocione te vërteta studimi e krijimi të kësaj teme madhore. Grupi realizues me gjithë përpjekjen e tyre pasiononte sipas detyrave të kryera, kanë gjetur një ekuivalencë të bukur kinematografike për një film të ri dokumentar, që flet përmes dokumentit arkival por edhe zbulimeve të reja studimore për figurën më emblematike të popullit shqiptar.

Montazhi i regjisorit me përvojë, Lulzim Sula, sjell surpriza në pasurimin e gjuhës filmike televizive e kinematografike. Kamera e operatorit të ri Ermal Kore, në xhirimet e sotme, sjell një atmosferë të bukur krijuese me imagjinate dhe shprehje të veçanta filmime.

Femrat konkurrojnë meshkujt në këtë gjini krijuese?
Në art nuk ka punë gjinish, je femër apo mashkull. Kur të zë muza nuk pyet shumë se çfarë gjinie i përket. Ne, në kinematografi kemi emra të shquar grash e vajzash artiste të mrekullueshme, por ato duhet të mbështeten pak më shumë, tani në kohët e vështira të tranzicionit apo dhe më tej.

Liria në krijimtarinë kinematografike?

Sot liria e krijimit është më e madhe por edhe vështirësitë e realizimit janë më të mëdha. Ngaqë kam munguar për vite me radhë në emigracion, rend të arrij kohën e humbur… Në kohën tjetër filmat bëheshin me një komoditet të madh, kishin kohën e caktuar të realizimit shumë bashkëpunim. Tani të gjithë vrapojmë dhe ka shumë stërmundim, stres, lodhje.

Realizimi i filmit
Skenariste: Angjelina Xhara
Operator: Ermal Kore

Regjisor montazhi: Lulzim Sula
Konsulent: Dr Moikom Zeqo