Në orën 14:00, pritet të dalin rezultatet për 90 mostrat e pacientëve të dyshuar se janë të prekur me koronavirus. Shumica e tyre dyshohet se kanë pasur kontakt me dy personat që janë të infektuar me koronavirus.

Express merr vesh se në mesin e këtyre personave, ka edhe figura publike.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në orën 12:00, ku do të njoftojë për më te rejat rreth koronavirusit.

Ndryshe, dje rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë.