Rreth 100 persona kanë mbërritur në Prizren, në kampin e ish-KFOR-it gjerman.

KTV mëson se mbrëmë kanë mbërritur 51 dhe sot rreth 31 tjerë.

Në vendin e ngjarjes po qëndron edhe kryetari Mytaher Haskuka

Sipas tij, janë duke u evidentuar të gjithë, pasi sipas informatave nga policia, ka edhe persona që vijnë nga zonat që nuk janë të prekura nga tërmeti.

Evidentimi dhe verifikimi, sipas Haskukës, po bëhet për të shmangur keqpërdorimet e mundshme.

Mësohet gjithashtu se në këtë kamp që kanë mbërritur persona nga Shqipëria për t’u strehuar, shumica vijnë nga komuniteti pakicë.

Një numër i konsiderueshëm i këtyre personave, fillimisht u vendos në Hotelin “Grand” në Prishtinë. Grupi Koha ka qëndruar aty derisa ata janë dërguar me autobusë për në Prizren. Është mësuar se asnjë familje nuk ka shkuar t’i marrë ndonëse qëndruan gjatë aty, dhe kështu të gjithë janë dërguar në ish-kampin e KFOR-it gjerman në Prizren.

Për ndryshe, nga Kazerma e FSK-së në Prizren, pritet të nisen një sasi e konsideruar ndihmash të grumbulluara me thirrjen e Komunës së Prizrenit drejt zonave në nevojë.

Sipas kryetarit Haskuka ka mbi 1000 batanije, pako me ushqim të mjaftueshëm për një javë për një familje.

Sipas Haskukës, në koordinim me ambasadën shqiptare do të shpërndahen në zonat ku ka më shumë nevojë.