Shkruajnë: Auron TARE dhe Bejtullah DESTANI

Ali Pasha nuk është vrarë në përpjekje të armatosur ndërsa gruaja e tij Vasiliqia nuk është ajo që ka paraqitur deri më sot historia.

Ky dokument FO195 /34 i ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Britanike për 194 vjet hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri më sot mbi njerëzit që komplotuan në vrasjen e Luanit të Janinës.

Në të gjitha veprat deri më sot vrasja e Aliut njihet gjerësisht ajo që përshkruhet nga konsulli francez Pouqueville (Pukëvil), i cili flet për një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tija në shkallët e shtëpisë në ishullin e Liqenit të Janinës.

Falë këtij përshkrimi ku nuk mungojne edhe dialogje midis palës sulmuese dhe asaj mbrojtëse të bie në sy “fjalët e fundit të Aliut” i cili kërkonte që rojet e tij të vrisnin Vasiliqinë besnike gruan e Pashait “që ajo të mos binte në duart e turkut”.

Hrushid Pasha, rrethuesi i Aliut. Vrau veten në rrethana të paqarta disa muaj më pas

Në mungesë të dëshmitarëve apo dokumentave autentike, vdekja e Aliut njihet ende nga kjo veper e Pouqueville, madje dhe në ditët e sotme në shtëpinë e ishullit te Janines turisteve kurioze ju tregohen “vrimat e plumbave te cilat vranë Vezirin e Famshem”.

Por dokumentat që botohen nesër për herë të parë në DITA sjellin ndërmjet dëshmive autentike një tablo te ndryshme mbi fundin e Aliut duke i dhënë fund ngjarjes së treguar nga Pouqueville.

Bëhet fjalë për zbulimin e një letre-dëshmi të shkurtit të vitit 1822 që Reis Efendi, ministri i jashtëm i Perandorisë Otomane të kohës i jep Ambasadorit të Britanisë Lordit Strangford për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

“Këto dëshmi jane të vetmet fakte që vijnë nga burimet osmane në kohë reale mbi përfundimin e rebelimit të Pashait shqiptar. Prandaj mendojmë se vertetesia e tyre është shumë afër ngjarjes së vërtetë – thotë Auron Tare që do t’i prezantojë këto dokumente nesër në DITA.

Nga dëshmia ku përshkruhet me hollësi vrasja e Aliut, del se veziri i madh i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi, i vrarë nga një shqiptar dhe se gruaja e tij Vasiliqia ishte bashkëpunëtore e fshehtë e Portës së Lartë.

Dëshmia se Vasiliqia ka bashkëpunuar me Portën e Lartë për vdekjen e Aliut është vërtet mbresëlënëse, pasi figura e saj e njohur nga një sërë veprash të orientalizmit europian është konsideruar si simboli i besnikerise ndaj Pashait plak.

Portret i zonjës Vasiliqi. Autor i panjohur, shtëpia e ankandeve Sotheby

E trajtuar gjithmonë me nota idealizmi dhe keqardhje për fatin e saj tragjik, roli i Vasiliqisë në vdekjen e Aliut sipas burimit osman që sjellin Tare-Destani nesër në DITA, duket se ka qenë vendimtar.

Nje tjeter fakt shumë i rëndësishëm mbi figurën e Vasiliqisë është cilësimi i saj qartësisht në raportin e ministrit otoman si “vajza e një prifti grek”. Kjo dëshmi mbi prejardhjen e saj hedh poshtë ndonjë perpjekje sporadike të studiuesve për shndërrimin e saj në “shqiptare ortodokse nga Çamëria”.

Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit nuk ka qene asnje herë i ndriçuar nga burimet e kohes. Me sa duket veprimet e saja ne dobi te Portës së Lartë kanë qenë aq sekrete, sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhetine e saj, edhe pse dihej se pas renies se Aliut ajo mori papritur në zotërim disa prona të rëndësishme.

Por dëshmia më interesante e raportit britanik bazuar në informacionin e Ministrit te Jashtem Otoman që sjell nesër DITA eshte emri i personit që ekzekutoi atë.

Ne kundërshti nga pershkrimi plot ngjyra i Pouqueville për një fund plot lavdi, Ambasadori Britanik e quan vdekjen e Aliut “nje vrasje të pastër”.

Dhe jo pa arsye. Pasi la me këmbënguljen e gruas fortesën e tij Aliu u strehua ne nje shtepize te vogel ne Ishullin e Janines, ku priste faljen e premtuar nga Stambolli.

Më shume pak pasues nga te cilet disa po komplotonin per fundin e tij duket se Aliu ishte rrethuar nga tradhtia.

Mohamed Pasha, ekzekutori i Aliut

I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i genjyer nga te gjithe personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret ne audience nje shqiptar mjaft të shquar por shume pak te njohur nga historia. Muhamed Pashën e Moresë i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë.

Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar e Muhamedit të Moresë mund të mos kenë ngjallur dyshime te Aliu.

Por ishte pikërisht ky shqiptar, i cili sipas deshmise se Ministrit të Jashtëm Otoman ka ngulur ne trupin e Vezirit plak kamën e Sulltanit duke i dhene fund një jetë plot trazira dhe lavdi.

Të njëjtat rrethana të vrasjes së Aliut si dhe tradhtia e gruas së tij janë publikuar 4 vjet më vonë, në 1826 në një botim ende të panjohur për publikun shqiptar që ka për autor Robert Walsh, ish-prifti i Ambasadës Britanike.

Gravura që shoqëron këtë shënim ka për autor pikërisht Walshin dhe tregon ekspozimin e kokës së Aliut në kamaren e Portës së Lartë.

Walsh, i cili ka vizituar personalisht ekspozenë e kokës së pashait jep një përshkrim me detaje dhe përcakton si datë të kësaj ekspozeje 24 shkurtin e vitit 1822.