“Kosova, me ndihmën e promovuesve perëndimorë të shtetit të Kosovës, përsëri po përpiqet të shantazhojë Serbinë, të prishë marrëveshjen e Uashingtonit dhe të shmangë detyrimin për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, shkruan gazeta serbe “Novosti”.

“Në këtë veprim dukshëm të sinkronizuar, deklaratat provokuese nga Brukseli dhe të zyrtarëve të Kosovës ndjekin njëra-tjetrën, me qëllimin përfundimtar që Beogradi të njohë pavarësinë e shpallur “në mënyrë të njëanshme të krahinës jugore serbe”, pretendon gazeta.

Viola von Cramon, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, fillimisht foli nga selia e BE, duke thënë se e ashtuquajtura marrëveshje e Uashingtonit ishte nën pikëpyetje qysh në kohën e nënshkrimit, se qëllimi i saj nuk ishte të sillte stabilitet në Ballkan, por se ishte kryesisht një lëvizje “PR” (marrëdhëniet me publikun)e Richard Grenell-it.

“Dersa jehona e deklaratës së saj ende dëgjohej, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjithashtu u deklarua. Pas një takimi me shqiptarët nga Serbia jugore, ai kërcënoi se Kosova do të rivendosë masa reciproke ndaj Serbisë nëse procesi i dialogut nuk përfundon me një marrëveshje mbi njohjen reciproke. Hoti gjithashtu tha se Kosova ka mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe duke gjykuar nga Von Cramon – kjo mbështetje do të jetë bujare. Sepse, ajo jo vetëm që kritikoi marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se pika të caktuara të saj nuk kanë aspak efekt juridik ose janë të diskutueshme, si hapja e një ambasade në Jeruzalem, por ajo gjithashtu e përmendi edhe Asociacionin. Për të, Asociacioni është një pyetje komplekse dhe duhet të ketë përgjigje, por padyshim jo me deklarata të nxituar”, pretendon Novosti.

“Zyrtarët serbë tashmë kanë thënë se Von Cramon është një promovuese  e qartë e pavarësisë së Kosovës”, se ajo flet çfarë u kënaq veshët e politikanëve në Kosovë dhe “me ngulm i sulet presidentit tonë Vuçiq. Ajo tashmë ka theksuar se Serbia mund të hyjë në BE vetëm nëse e njeh Kosovën”, shkruan gazeta serbe Novosti.