Identiteti dhe Personaliteti

O babi, o babi, qënkemi të lashtë NE . . . !!!

Sa vlen historia?

Shkruan: Anastas SHUKE
Shumerolog

Maj 2012

I biri i një emigranti shqiptar në Itali vijonte klasën e shtatë në një shkollë të Romës. Një ditë po kthehej nga shkolla gjithë gaz e hare. Tek pa të atin i thiri tërë gëzim, – O babi, o babi, qënkemi të lashtë ne…?! – në librin e historisë apo gjeografisë, në Itali, kish lexuar për Shqipërinë e tij. Për gjuhën Shqipe aty thuhej se kishte lidhje me Etruskishten e lashtë të Italisë. Fëmija u gëzua, u ndje mirë, krenar, fisnik. Kish gjetur instiktivisht atë që, natyrshëm, e kërkojmë të gjithë, një mbështetje për personalitetin e vet në formim e sipër. Personaliteti i qëndrueshëm apo siç i themi ne, sjellja prej “zotnie”, të qënit fisnik, besimi në vetevete, respekti për veten dhe për të tjerët, serioziteti dhe kërkesa ndaj vetes për arritje cilësore, gjejnë mbështetje, ushqehen, nga një e shkuar fisnike. Një Personalitet i fortë buron nga një Identitet i fortë. Po këtu në Shqipëri, a mendojmë për formimin e shëndetshëm të personalitetit të fëmijëve tanë që janë e ardhmja e kombit ?

Në një bisedë të zakonshme me mikun tim Eno Koçon, që jeton në Angli, ai më fliste për ndryshimet që vërente mes dy kulturave. Ç’ndryshim kemi në përgjithësi ne shqiptarët prej anglezëve? – “Ata, kanë personalitet” më thoshte. Vërtet, ai personalitet është formuar duke u mbështetur në një histori e kulturë të pasur. Kultura është e lidhur pazgjidhshmërisht me personalitetin, ato ushqejnë njëra-tjetrën që nga fëmijëria deri në fund të jetës. Vetë kultura është në rradhë të parë njohje dhe veçanërisht transmetim i historisë dhe traditave nga brezi në brez, pra është ruajtje dhe përcjellje e identitetit. Kështu krijohet e forcohet personaliteti, krenaria, drejtësia, ndershmëria, subkoshienca e qëndrueshme, uniteti i kombit.

Historia na vleka miliarda euro!? Mbështetja që iu dha së fundi Greqisë në një masë të madhe u arrit edhe në sajë të personalitetit historik që ka ajo në opinionin europian e më gjerë. Pasqyrë e këtij opinioni ishte edhe një demonstratë diku në Evropë, me moton “ne jemi të gjithë grekë!”, e cila u transmetua në mediat shqiptare pa asnjë koment, pa nxjerrë asnjë “mësim” për rëndësinë e identitetit dhe vlerën e historisë, edhe për ne shqiptarët.

Sa pak histori e kombit dhe sa e cunguar i është servirur ajo brezit tonë…!!!

Krenaria kombëtare, parë po të doni edhe si shtrirje e psikologjisë së fisit a familjes, është Baza më e Thellë Morale e njeriut, është Stimuli moral më i Natyrshëm në gjithë veprimtarinë e tij. Formimi dhe forcimi i Personalitetit të çdonjërit nga ne, bazohet në rradhë të parë në rrespektin ndaj Vetes dhe Kombit, pra ndriçimi i Identitetit, njohja e Historisë së Kombit, është Elementi Fillestar i Kulturës.

Krenaria kombëtare, identiteti kombëtar, apo patriotizmi kërkon një mbështetje të fuqishme e REALE, përndryshe ajo nuk mund të jetë një shtysë drejt përparimit kombëtar, por kthehet në një parullë pa dobi. Çfarë do na shërbente ne shqiptarëve si mbështetje e sigurtë, tepër E Lashtë, pra FISNIKE, Shtyllë e Identitetit, natyrshëm e JONA?!

Profesor Çabej na thoshte se “Historia e gjuhës është historia e popullit që e flet”.

Vërtet, Gjuha është Themeli i Kombit, ajo që na bën të veçantë nga të tjerët. Lashtësia e saj do provonte lashtësinë tonë, e njëkohësisht do i ndihte botës në zbulimin e vetë lashtësisë. Aristoteli thoshte se sa më e lashtë të jetë historia e një kombi, aq më i rëndësishëm e fisnik shihet ai nga të tjerët, e vetë ai komb ndjehet më mirë, ndjehet i uruar, krenar. Duke ndriçuar lashtësinë e gjuhës shqipe do zbulonim edhe historinë tonë e do siguronim kështu një vend nderi, të merituar, në panteonin e lashtësisë.

Ne shqiptarët mund të krenohemi mjaft me heroin tonë kombëtar “Skënderbeun”, si pjesë madhore e mozaikut tonë të identitetit, që shpesh përpiqen të na e vjedhin, e sidomos tja ulin vlerat, të cilat ia ka njohur Evropa e bota mbarë. Megjithatë duhet patur parasysh se, Skënderbeu i përket një periudhe mjaft më të vonshme kohore se zanafilla e kombit tonë, e cila shtrihet në mijëvjeçarë. Pra, aftësia konkuruese që nevojitet për të shërbyer si “shtyllë qendrore” e krenarisë kombëtare, e identitetit tonë kombëtar, kufizohet, për arësye se i duhet të përballet me identitetin e kombeve të tjerë, të cilët janë bazuar përgjithësisht në periudha kohore mjaft më të hershme, dhe në vazhdimësi. Në mënyrë që “Krenaria Kombëtare” të ulet “këmbëkryq” në subkoshiencën tonë, që personaliteti ynë të mbruhet me fisnikëri prej lashtësisë, e të na japë kështu qetësinë, forcën dhe stimulin e pakrahasueshëm dhe aq të nevojshëm sot, na duhet të bazohemi në një shtyllë mjaft më të vjetër në kohë, rreth së cilës të mund të mblidhet e të qëndrojë fort i gjithë mozaiku gjigant i historisë sonë, i Identitetit tonë Kombëtar.

Historia është Politikë, KRENARI dhe UNITET, forcë shtytëse dhe bashkuese e kombit. Prandaj çdo shtet dhe çdo klasë politike, cilido që ndjehet Shqiptar, duhet të investojë më shumë për zbulimin e saj. Edhe në një prezantim të thjeshtë midis njerëzve të panjohur ne kërkojmë të dimë për prejardhjen e personit që kemi përballë. Mosnjohja sjell frikë dhe pasiguri. E njëjta logjikë vlen për marrëdhëniet midis shteteve. Për ndriçimin e historisë në fillim duhen përcaktuar prioritetet, nga t’ia nisim?

“Dashi duhet kapur nga brirët” thotë një fjalë e urtë.

E brirët janë Gjuha jonë, themeli i identitetit të çdo kombi. Kjo lidhet edhe me situatën e gjuhës shqipe të folur e të shkruar në media:

Mbrojtja e pastërtisë dhe sidomos njohja e mirë e gjuhës, që arrihet veç duke lexuar sa më shumë, është pjesë e luftës për të mbrojtur identitetin. Në një kohë kur identiteti ynë sulmohet në të gjitha fushat e jetës, në histori kundra heronjve tanë, në kulturë duke qëmtuar vetëm faktet negative e duke anashkaluar pozitivet, në media duke u marrë me të çmendurit e duke qesëndisur shqiptarizmën, pra duke përhapur kudo helmin anti-personalitet, synohet në zhbërjen e këtij kombi, duke sulmuar çdo ndjenjë kombëtare, e cila në jetë të jetëve mbetet një stimul moral i pakrahasueshëm, më i rëndësishmi, më themelori nga të gjithë. Lufta për identitetin është luftë për krijimin dhe forcimin e personalitetit. Njeriu që rritet pa personalitet shitet kollaj, dhe kështu kombi e vendi i tij shkon drejt rënies, drejt shkatërrimit.

Është koha të reflektojmë seriozisht për këtë, përfshirë politikanët tanë !!!
Ashtu siç identiteti ynë sulmohet çdo minutë, ashtu edhe ata që e kuptojnë këtë, duhet të luftojnë çdo minutë për forcimin por edhe për zbulimin e pjesëve të tij që janë mbuluar me djallëzi dhe me harresë. Kapja e dashit nga brirët fillon me ndriçimin e zanafillës së kombit/gjuhës shqipe, në mënyrë shkencore. Kjo do të na krijojë bazën e zhvillimit të personalitetit, të subkoshiencës së qëndrueshme, e cila na nevojitet si për shëndetin e mirë mendor ashtu edhe për përparimin ekonomik e kombëtar.

Kërkimi i zanafillës së kombit/gjuhës shqipe na çon në mënyrë të pashmangshme në studimin e lashtësisë. Një pasqyrim mjaft të saktë, të përmbledhur, të logjikshëm e të paanshëm të lashtësisë na ka dhënë studiuesi i madh i kësaj fushe e jo vetëm, azerbaixhano-amerikani Zecharia Sitchin në librin e tij të mirënjohur, që unë e kam sjellë edhe në shqip, “Planeti i 12-të”. Duke qenë njohës mjaft i mirë i të dhënave historiko-shkencore që mund të nxirren nga fusha e teologjisë e nga burime të tjera që për hir të së vërtetës në lashtësi kanë qenë mjaft të afërta sepse shkencëtarët e kohës kanë qenë edhe priftërinj, Zitçini na sjell në përfundimin edhe të shumicës së studiuesve ndërkombëtarë që janë të mendimit se kultura më e lashtë e dokumentuar, pra edhe e shkruar në botë, është kultura Shumere. Arkeologjia na ka dhënë ndihmesën kryesore me morinë e pllakave të argjilës shkruar me shkrimin kunjiform, që ruhen në shumë muze të botës e që deri sot arrijnë në rreth 600.000 të tilla.

Shumeri dhe Shumerët janë djepi real i kulturës botërore, i pari qytetërim i madh i botës. Vendi i tyre i mbiquajtur Mesopotami (mes lumenjve) është në Irakun e sotëm jugor. Niveli i lartë i kulturës shumere duket qartë në pohimin e matematikanit, astronomit dhe shumerologut të njohur gjerman Otto Neugebauer, që thoshte se “njohuritë astronomike e matematike të Shumerëve ishin shumë më të mëdha e më të thella se ato të kulturave të mëvonshme të Babilonasve, Egjyptianëve, Grekëve dhe Romakëve”. Sipas Zitçin: Është përtej çdo dyshimi tashmë, se Civilizimi modern (me “C” të madhe) filloi vërtet në Shumer. Atje, në rreth 4000 vjet pr.k, pra 6000 vjet më parë, lulëzuan papritur të gjitha elementet thelbësore të një qytetërimi të përparuar. Vështirë se mund të gjendet ndonjë aspekt i kulturës dhe qytetërimit të sotëm, rrënjët apo precedentët e të cilit të mos jenë në Shumer.

Me qëllimin për të përfituar nga ky identitet i madh Shumer duke dalë si pasardhësit e tij, të lashtë e fisnikë, ka patur, gjatë mbi 140 vjetëve të ekzistencës së Shumerologjisë, mjaft përpjekje për të gjetur lidhje të shumicës së gjuhëve të botës me gjuhën Shumere. Përpjekje të tilla për krahasimin me Shumerishten janë etiketuar madje “groteske” në disa raste, duke na dëshmuar e shfaqur kështu, si rëndësinë e “Problemit Shumer”, – gjetjes së popullit apo kombit që e ka folur dhe shkruar Shumerishten apo edhe që e ka trashëguar atë gjuhë sot, – ashtu edhe “rrymën e pranuar” (mainstream), apo “Murin” e krijuar nga shumerologët profesionistë, në një marrëveshje të heshtur, që kultura dhe gjuha shumere të mos jetë zanafillë a trashëgimi e asnjë populli a kombi, por të jetë e veçuar, në kullën e saj të fildishtë.

E megjithatë, Çelësi i saktë që do na e hapë realisht derën e saj, duket se është vërtet, Gjuha jonë Shqipe.

Ura lidhëse mes shqiptarëve e shumerëve duket të jenë Pellazgët. Për këta është folur e shkruar deri më sot si origjina jonë më e largët në kohë. Kërkimi për zanafillën e vetë Pellazgëve duket se hedh dritë dhe e mbështet këtë duke shkuar më tej, deri tek shumerët. Shumica e studiuesve në botë, përmendim këtu P. Kretchmer, që janë marrë me prejardhjen e Pellazgëve, mbron pikëpamjen se ata erdhën në Ballkan e Evropën jugore nga Azia e vogël apo Lindja e Afërt Antike duke sjellë me vete artin e bujkut. Gjithashtu sipas personalitetit të viteve ’20 – Teki Selenica në studimin e tij botuar asokohe edhe në frëngjisht, “Shqipëria 1927”, Pellazgët e gjetën popullsinë vendase të këtyre viseve në nivelin e jetesës në shpella.

A mund të ketë ndonjë lidhje të Shumerëve me Pellazgët e më tej me Shqiptarët e sotëm?

Unë besoj që PO. Këtë na e vërteton gjuha jonë Shqipe, dhe nëpërmjet zbërthimit të termave të lashtë, ajo na rrëfen vetë Historinë.

Le të fillojmë me analizën historiko-gjuhësore të termit Pelasg, pasi ai është ura lidhëse historike mes Shumerëve e Shqiptarëve.

Me ndihmën e Shumerishtes mund të analizojmë etimologjinë e termit PELASG si vijon:

Sipas Pausanias (VIII,1,2 dhe 1,4), PELARGosi (heroi eponim Pellazg) është i pari njeri lindur në Tokë, me etni prej një qytetërimi Neolitik; Danaos-i thoshte: “Unë jam Pelasg, bir i Geas së Lashtë”, pra: “bir i Ki-së/Dheut të Lashtë”; Pauzania, si edhe Asius i Samos-it, na rrëfejnë: “Pelasgu, ai që ngjante me hyjnitë, ka lindur nga toka e zezë (me naftë), mbi majat e maleve të larta, dhe është fillim i racës së njerëzve.” Straboni përdor për Pellazgët termin “PELARGos”, Pe–Larg = Prej Larg. Australiani G. Murray (f.43), e ndan termin Pellazg në: pelas – gë (“neighboring land”) vend fqinj, duke veçuar “gë”=vend. Del se në termin Pellazgë kemi “gë” ose gji që mund të lidhet fare mirë me termin Shumer Gi/Ki = vend, dhe, Tokë, ky; po kështu kemi: Pellaz ≈ pellas ≈ pelaŝ = pelash = pe – lash. Pra: Pellazg = pe–lash–g, që mund të ketë nisur si: pe – lash – gji = prej gjirit/dheut që lashë.

Prej afërisë kuptimore të “i lashtë” dhe “lashë” (e kryera e “lë”) dhe nga rregulli fjalformues në Shumerisht – folje +A = emër/përcaktor – (ku A = asht=është e shqipes): Lë + Asht = L + asht = Lasht, mund të kemi: Pellazg /Pellazgji = pe – lasht – gji (ki) = prej gjirit/dheut të lasht (ose që lashë), ose Pe Lasht ki (ky) – pe të lasht(it) (asht) ky. Termi Pellasg gjendet edhe në trajtën “Pelashti” sipas M.Budimir-it (Demiraj,29) – gjë që na e mbështet etimologjinë: “Pelasg = prej gjirit/dheut të lashtë”.

Pra, Shqipja mund të na e Shqipërojë mjaft saktë historinë . . .

Anastas Shuke

Shumerolog