Prishtinë, 17 dhjetor 2020 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) zhvilloi sot një debat online me temën “Pretendimet financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi”, ku morën pjesë ekspertë eminentë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë hapjes së diskutimit, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, theksoi rëndësinë e diskutimit pikërisht për temat e pretendimeve financiare dhe atyre pronësore, në kohën kur mbi këtë temë është duke u dialoguar në Bruksel. Ajo shtroi për diskutim obligimet financiare, çështjen e borxhit të jashtëm, pensioneve, reparacioneve të luftës, pretendimet pronësore dhe të tjera.

Ahmet Shala, ish-ministër i Financave, fillimisht theksoi që Kosova si shtet ka treguar nivel të lartë të seriozitetit duke e marrë përsipër të gjithë pjesën e saj të borxhit të jashtëm të ish-Jugosllavisë, të cilat janë aprovuar nga organet legjitime të Kosovës dhe nga të cilat kanë përfituar qytetarët e saj.

Ai tha se të gjitha borxhet e marra nga Serbia në emër të Kosovës pas vitit 1989, përfshirë periudhën gjatë administrimit të UNMIK-ut, nuk janë obligime të Kosovës dhe kujtoi që me Rregulloren nr. 1 të UNMIK-ut ishte pamundësuar marrja e borxheve në emër të Kosovës nga ana e Serbisë.

Ahmet Shala tha se lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës fillimisht duhet të organizohen tryeza profesionale dhe të përcaktohet metodologji të qartë të përllogaritjes së dëmeve të luftës. Sipas përllogaritjeve të tij, në një ndarje prej 25 kategorive të dëmeve, obligimet e Serbisë janë rreth 250 miliardë dollarë, pa i llogaritur dëmet industriale dhe ato ushtarake.

Gjatë debatit u trajtua edhe çështja e pronave shoqërore dhe e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që kanë asete në Serbi. Ahmet Shala tha se Pakoja e Ahtisaarit e ka adresuar edhe çështjen e pronësisë së ndërmarrjeve publike dhe shoqërore që operojnë në territorin e Kosovës dhe menaxhmentet e tyre gjenden në Kosovë, dhe se këto asete konsiderohen pronë e Kosovës.

Ai tha se Serbia nuk ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës lidhur me këto asete, madje ka bërë përpjekje edhe për t’i privatizuar ato.

Lidhur me pensionet, Artan Mustafa, ligjërues i politikave sociale, vlerësoi që si temë është diskutabile rreth së cilës është krijuar një “mit” me situatën pas marrjes së Fondit Pensional të Kosovës nga Serbia në vitin 1992.

“Në atë kohë, Fondi veçse ka qenë në deficit, duke mos mundur të paguhen obligimet pensionale që kanë ekzistuar” shtoi ai.

Mustafa gjithashtu vlerësoi që, bazuar në sistemin e atëhershëm ‘pay as you go’ ku punëtorët aktual kanë paguar për pensionistët aktual, i bie se gjenerata e sotme i ka borxh punëtorëve të asokohe. Ai shtoi që kjo çështje duhet të shqyrtohet me kujdes.

Gjatë debatit u kërkua që në kuadër të dialogut të trajtohet edhe çështja e dëmshpërblimit për viktimat e luftës.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit Humanitar për të Drejtat e Njeriut, tha se kjo organizatë është në proces të dokumentimit të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Ai tha se deri më tani janë evidentuar 13.535 persona të vrarë apo të zhdukur, pjesa dërrmuese e të cilëve janë civilë.

←Blakaj tha se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet edhe kompensimi për të vrarët e të zhdukurit, si edhe për personat e burgosur dhe për ata që kanë qenë objekt i trajtimeve çnjerëzore.

Pjesëmarrësit kërkuan që mes institucioneve të Kosovës dhe ekspertëve, vendorë e ndërkombëtarë, të ketë bashkëpunim me të mirë, në mënyrë që të përmirësohet pozicioni i Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirëinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë.