Të panjohurat e luftës së fundit në Kosovë vazhdojnë të jenë kërshëruese. Duke u krijuar një distancë kohore prej afro dy dekadash, disa prej bartësve kryesorë të zhvillimeve po vihen para pikëpyetjeve të shumta.

Si siguruan prominencë njerëz të tillë si Hashim Thaçi, Agim Çeku e Ramush Haradinaj?

Wlliam G. O’Neill, autor i librit ‘Kosova: një paqe e papërfunduar’ jep një përgjigje të re mbi një nga arsyet që personat e sipërcekur u bënë dorë e djathtë e ndërkombëtarëve.

«Një ndjesim mbizotërues në Kosovë ishte se Thaçi, Çeku, Ramush Haradinaj dhe të tjerë krerë të UÇK-së kishin mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Kjo buronte nga gjoja afërsia me James Rubin-in, zëdhënësin e Albright-it dhe njëri nga këshilltarët kryesorë të sekretarit të Shtetit. Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara vërente “amerikanët na thoshin se ne duhet të merremi vesh me Thaçin dhe Çekun, se këta janë ‘djemtë tanë’ dhe të harronim Rugovën, se ishte pijanec».

Sipas autorit O’Neill, UNMIK-u, KFOR-i dhe lojtarët e tjerë ndërkombëtarë e përforcuan edhe më shumë këtë perceptim, duke u takuar vazhdimisht me Thaçin dhe Çekun, gjë që, sipas tij, krijonte përshtypjen sikur ata ishin bashkëbisedues të pazëvendësueshëm.

(William G. O’Neill, Kosovo: An Unfinished Peace, f. 47)