Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim, këtë të mërkurë, Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, Avokaten e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, Naser Zyberi, dhe komisionarin për mbrojtje nga diskriminimi, Republika e Shqipërisë, Robert Gajda.

Në takim me ta, Osmani ka theksuar se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe mbrojtja nga diskriminimi i çfarëdo lloji, është prioritet absolut i të gjitha institucioneve të vendit.

“Presidentja Osmani i ka inkurajuar avokatët e popullit nga të tri shtetet që ta rrisin bashkëpunimin në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, synim i cili nuk njeh kufij”, thuhet në kumtesë, transmeton Klankosova.tv.

“Presidentja Osmani deklaroi se besimi i qytetarëve në institucione të pavarura është bazament i demokracisë, njëkohësisht edhe parakusht për zhvillim të vendit. Ajo po ashtu tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka rëndësi të madhe për secilin shtet, meqë ky institucion jo vetëm që trajton ankesat e qytetarëve, por njëkohësisht edhe promovon të drejtat dhe liritë e njeriut”.