Por, për të mos ndodhur një gjë e tillë, Istrefi thotë se Ministria e Drejtësisë do ta angazhoi një firmë ligjore.
Kuleta e Shtetit mund t’i këtë 30 milionë euro më pak nëse Kosova humb rastin e radhës në Arbitrazh.

Kompania financiare “IuteCredit” e ka dërguar Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pasi Banka Qendrore (BQK) ia ka revokuar licencën në fillim të dhjetorit të vitit 2019-të.

Edhe Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi vlerëson se shteti i Kosovës mund t’i humbë 30 milionë euro nëse këtë rast e fiton “IuteCredit” në Arbitrazh.

Por, për të mos ndodhur një gjë e tillë, Istrefi thotë se Ministria e Drejtësisë do ta angazhoi një firmë ligjore.

“Ata i kanë kërkuar 30 milionë, pasi mendojnë që janë të dëmtuar, por kjo është pjesë procedurale që të trajnohet më tutje. Ne si avokaturë e Shtetit qe një muaj e gjysmë përmes ministrit e kemi dorëzuar kërkesën në qeveri për marrjen e vendimit, por deri më tani nuk kemi ende ndonjë vendim nga qeveria dhe ende jemi në pritje të marrjes së një vendimi me çelim që t’i iniciojmë procedura e prokurimit për zgjedhjen e një firme ligjore që i mbron interesat e Kosovës”, tha Istrefi.

Megjithëkëtë, Istefi është i bindur që revokimi i lejes për “IuteCredit” ka qenë vendim i drejtë nga BQK-ja.

Sipas Istrefit, ky institucion mikrofinanciar i kishte dëmtuar qytetarët e vendit me norma të larta të interesit.

“Ne kemi pranuar një padi nga ana e paditësit Iutecredit përmes arbitrazhit ndërkombëtar dhe duke u bazuar në procedurat e rregullta ligjore dhe deri më tani i kemi kryer të gjitha procedurat ligjore duke i përfshijë termat e referencë dhe orarin e të gjitha korrespodentëve deri në përfundim të kësaj çështjen bazë shkresave dhe dokumentacionit që i kemi pranuar nga BQK-ja është një vendim bukur i drejtë për faktin sepse ajo bankë ka filluar t’i dëmtoj shumë klientët dhe ka vepruar në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet për BQK”, shtoi Istrefi.

Ndërkohë në vitin 2019, bordi ekzekutiv i BQK-së ka marrë vendim për mbylljen e institucionit financiar jo bankar “Monego” dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”.

Këtë vendim e ka bërë të ditur guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti.

“Sot Bordi i BQK së duke u bazuar në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit” dhe institucionin financiar jo bankar “Monego”. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti potencoi se në kohën kur këto dy institucione, “Monego” dhe “Iute Credit” kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.

Devijimi më shqetësues sipas Mehmetit është norma e lartë e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë qenë shumë më të larta nga ato që i kishin paraparë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovës këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjell tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, pati thënë Mehmeti.