Gjithçka ka ndryshuar gjatë javës së kaluar.

Reagimi ndaj përhapjes botërore të virusit ka prekur jetën e gjithësecilit.

Janë mbyllur vendet e punës. Janë mbyllur shkollat. Janë anuluar ligat më të mëdha sportive. Aviokompanitë kanë anuluar fluturimet. Spitalet kanë nisur përgatitjet për ngritje masive të pacientëve. Të premten, edhe shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në krejt vendin.

Distancimi social

Eksperti i sëmundjes, Michael Osterholm, i cili kishte paralajmëruar më 2005 se “koha po kalon për përgatitje për pandemitë e radhës”, ka thënë gjatë një bisede me Peter Bergenin se Amerika po përballet me një sfidë të madhe. “Jemi larg më keq sot se sa ishim më 2017, sepse sistemi i kujdesit shëndetësor është më keq se asnjëherë. Nuk ka kapacitete të nevojshme. Dhe fondet për shëndetin publik janë shkurtuar nën këtë administratë”, shkruan CNN.

“Distancimi social” është një shprehje e re që na këshillon se si duhet të sillemi. Me një fjalë, ruajtja e një distance nga njerëzit është mjeti më i mirë që njerëzit të shmangin ngritjen e numrit të personave të infektuar dhe kështu do të ketë më pak punë për spitalet dhe kujdestarët edhe ashtu të stërngarkuar.

Betejë për njerëzimin

Është një betejë e madhe edhe për njerëzimin, që natyrisht se varet prej ndërveprimeve të përditshme sociale. Blaise Pascal, mendimtar francez, e kishte përmbledhur thelbin e jetës tonë si qenie shoqërore qysh para 350 vjetësh: “Krejt problemet e njerëzimit burojnë prej paaftësisë së njeriut për t’u ulur fikall vetëm qetësisht në një dhomë të vetme”.

Dhe kjo është tmerrësisht serioze, ka paralajmëruar Eli Pariser. Meqë, pleqtë kanë më shumë mundësi të kenë komplikime serioze nga virusi, pjesëtarët e brezit të bumit të lindjeve në SHBA, duhet të kenë më shumë kujdes, shkruante ai.

“Reduktoni kontaktin social sa më shumë që është e mundshme, për gjithçka që nuk është emergjente. Anuloni futbollin amerikan, këndimin në grup, jogën, shkuarjen e klubit të librit, në klubin tjetër të librit, si dhe birrat në bare. Nëse shkoni në kishë, hiqni dorë dhe lutuni në shtëpi. Vaksinohuni kundër gripit dhe pneumonisë. Lani duart dhe mos e prekni fytyrën”.

Joelle Renstrom, e cila ligjëron në Universitetin e Bostonit, po e ka të zorshme ta pranojë se si normaliteti i ri do të ndryshojë jetën e saj dhe të studentëve. Ata që do të jenë me fat që të punojnë nga shtëpia – dhe punëdhënësit e tyre – do t’i konsiderojnë zgjidhjet e teknologjisë si shpëtimtare për jetën e tyre, ka shkruar profesoresha.

“T’i mbash njerëzit të sigurt dhe të ruash vendet e punës, mundëson vazhdimësisë dhe ua mundëson njerëzve të jenë të zënë me punë, njëherësh duke bërë diçka familjare në kohë krize”, ka shkruar Renstrom. Por edhe kjo e ka një kosto: “Ne do të shtrëngohemi të angazhohemi dhe të luftojmë për lidhje personale dhe interaksion. Por duhet përpjekje për ruajtjen e tipareve që na ndajnë nga makinat, si keqardhja dhe nevoja për lidhje emocionalisht dhe fizikisht me të tjerët”, shkruan ndër tjera ajo.