Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar dje se do mundi t’i kthej sërish, së shpejti, në fuqi masat e reciprocitetit me Serbinë. E për këtë ka reaguar shteti serb nëpërmjet Marko Gjuriq, ambasadorit të Serbisë në Washington, i cili i ka vlerësuar si gjuhë e ultimatumeve dhe shantazheve.

Për këtë çështje, sot koment ka dhënë edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, spanjollit Josep Borrell.

Të hënën, zëdhënësi i Qeverisë Kurti 2, Përparim Kryeziu, në një deklarim paralajmëroi se Qeveria e Kosovës mund të vendosë sërish masa reciprociteti me Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme.

Ndaj këtij paralajmërimi sot ka reaguar Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Në një deklarim nga kjo zyrë, thanë se BE fton të dy vendet të kufizohen nga deklaratat dhe veprimet që dëmtojnë rrugën e normalizimit.

“Në përgjithësi ne nuk po komentojmë për deklaratat e të tjerëve. Kur bëhet fjalë për Dialogun Beograd-Prishtinë, Bashkimi Evropian u bën thirrje të dy palëve dhe pret prej tyre të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe që nuk kontribuojnë në një progres të suksesshëm në dialog”, tha zëdhënësi i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Peter Stano.

Tutje në përgjigje thuhet se BE dhe vendet anëtarë të saj presin nga autoritetet e reja të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.

“BE dhe shtetet e saj anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për ta sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, tha Stano të martën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Ndryshe, të hënën, zëdhënësi i Qeverisë Kurti II, Përparim Kryeziu, në një deklarimin tha se masa të reciprocitetit do të ketë me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme.

“Është obligim i qeverisë dhe kryeministrit Kurtit që të mbrojë qytetarët e republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprocitetit me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, deklaroi Kryeziu.

Se do të vendos reciprocitet karshi Serbisë e pati thënë edhe Kryeministri Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, kishte deklaruar Kurti më 12 shkurt 2021.

E për dialogun me Serbinë, që ishte ndërprerë për shkak të taksës 100% të vendosur nga Haradinaj e më pas për arsye të reciprocitetit të Qeverisë Kurti I, shtonte se nuk do të jetë prioritet i madh i Qeverisë Kurti 2.

Ndërkaq Kryeministri Kurti ka njoftuar se gjatë vikendit të kaluar, bashkë me kabinetin Qeverisës ka zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes, por pa e përmendur përfshirjen e kësaj çështje në këtë program.

Për paralajmërime të kthimit të masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, ka reaguar sot edhe Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

Gjuriq deklaroi për mediat serbe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe qeveria janë të vendosura për një dialog konstruktiv, por se nuk do të lejojnë që Kurti ose ndonjë udhëheqësi tjetër shqiptar të fus gjuhën e kërcënimeve dhe shantazheve në dialog.