Tashmë është e konfirmuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë brenda një afati të shkurtër kohor, shkruan gazeta “Bota sot”.

Krerët e institucioneve të vendit tash e sa kohë kanë filluar përgatitjet për ballafaqimin me palën serbe, në Bruksel.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ditë më parë tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovës ishte që të përgatitet takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është që të përgatitet takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel. Prandaj, programi fokusohet në katër takime kyçe, Bislimi, Kurti, Gërvalla… Këto takime kanë qenë të dobishme. Ka potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet me BE-në. Ka pasur një diskutim me 27 ministrat e jashtëm, më 22 qershor do të kemi dhe një diskutim tjetër, do të kemi Samitin e Ballkanit Perëndimor në tetor”, ka thënë Lajçak.

Por, skeptik lidhur me rifillimin e negociatave Kosovë-Serbi, shprehen të jenë analistët politik.

Njohësit e çështjeve politike nuk parashikojnë ecuri të duhur të dialogut, pasi shprehen se duke pas parasysh se edhe para këtij takimi ka pasur ballafaqime dhe negociata të stërzgjatura, të cilat, sipas tyre, jo që vetëm ishin shumë pak të suksesshme, por ishin bërë edhe monotone me neglizhimet, dhe mos zbatimin e pikave të marrëveshjeve nga pala serbe.

Kapiti: Me këto tradhtira të paraardhësve, do të përballet qeveria e re, presidentja dhe kryediplomatja e Kosovës

Opinionisti Skënder Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se historiku i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë i neveritshëm, dhe se pikërisht për këtë arsye ai mendon se populli i ndëshkoi në zgjedhjet e fundit.

“Historiku i bisedimeve të deritanishme Kosovë-Serbi, ku nga pala e Kosovës kanë qenë ata të cilët tashmë dihen, që janë të neveritshëm dhe që populli i Kosovës i ndëshkoi ashpër më 14 shkurt 2021, pasi ata janë treguar jo vetëm infereriorë në këto bisedime, por për interesa të ngushta pushteti dhe për përfitime personale ata kanë zhvilluar bisedime e deri kanë bërë edhe marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën, dhe ashtu siç i ka interesuar Vuçiqit dhe Serbisë, sa që të thuash për ta se kanë bërë tradhti kombëtare është pak. Tani me këto prapësina e tradhtira të paraardhësve, do të përballet qeveria e re, presidentja dhe kryediplomatja e Kosovës”, ka thënë opinionisti Kapiti.

Ai konsideron se takimi i parë Kurti-Vuçiq nuk pritet të ketë diçka e pritshme, pasi që sipas tij, kryeministri Kurti gjithmonë ka denoncuar dhe ka qenë kundër atyre se çfarë është biseduar më përpara, të cilat bien ndesh me interesat e Kosovës.

“Një ditë vëllai im, veteran i luftës, Gani Kapiti më tha: “Dëgjo Skënder, ti po shkruan shumë për Albinin e Vjosën dhe mirë po bën, por dua me ta thanë një gjë: “sikur me mujt fillimisht Albini e Vjosa me e çu gjendjen politike aty ku ka qenë Kosova në ditën kur u shpall Pavarësia, kjo do kishte qenë fitorja e parë e madhe e tyre, sepse aq keq dhe aq mbrapsht ka punuar Thaçi, Mustafa, hajnat e intersaxhitë e tjerë të politikës e pushtetit në Kosovë, sa që Albini e Vjosa e kanë gjet gjendjen nën zero”. Pra, Kurti tashmë është përballë edhe publikut me ato se çfarë ai ka premtuar dhe deklaruar kur ka qenë në opozitë”, ka thënë me tej ai.

Ai shprehet gjithashtu se marrëveshja për bashkësitë e komunave serbe ka qenë e papranueshme për shqiptarët, pasi de fakto ajo legjitimonte një minishtet të pastër etnik serb brenda Kosovës.

“Fakti që promotor i kësaj ka qenë Hashim Thaçi, së bashku me tentativën e tij për realizimin e ndarjes së Kosovës, këto janë edhe arsyet se përse edhe publikisht publiku ndjehet mirë që ai sot është në gjykatën Speciale, pasi ky fakt bëri të mundur që ai të mos këtë më mundësi për të vepruar politikisht në dëm të Kosovës”, ka deklaruar opinionisti Skënder Kapiti, për gazetën “Bota sot”.

Preqi: Mesi i qershorit, pika kulminante e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel

Kurse, analisti Dedë Preqi, në një bisedë ka thënë se duke pasur parasysh takimet paraprake, edhe ky që pritet të zhvillohet brenda pak ditëve, s’ka asnjë gjasë që do të jetë i suksesshëm, pasi ai kujton dredhinat e palës serbe ndër vite.

“Të krijohet përshtypja se nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kemi edhe një takim të frytshëm të negociatave, mirëpo duke pas parasysh se edhe para këtij takimi ka pasur takime dhe negociata të stërzgjatura, të cilat jo që ishin shumë pak të suksesshme, por janë bërë edhe monotone me neglizhimet e tyre dhe mos zbatimin e pikave të marrëveshjeve nga pala serbe, dhe tani një stërzgjatje e mëtutjeshme do nxjerr edhe më shumë vegëza dhe dredhime tjera, sidomos nga pala serbe, e cila nuk dëshiron ta merr përgjegjësinë e krimeve të veta. Mirëpo, ardhja e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, i cili do u prinë negociatave me palën serbe, sikur do të ketë edhe një fillim të ri të negociatave, kur veprimet nuk janë më në mbështetje vetiake dhe pakoordinimin e grupeve politike të Kosovës, por domethënia e kësaj marrëveshje do e ketë vlerën dhe koordinimin zingjiror të përbashkët, për të nxjerrë frytin e këtyre negociatave”, ka thënë Preqi.

Ai madje është i mendimit se në këto rrethana, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili do t’i udhëheq negociatat bashkë me grupin e vet negociator nuk e ka aspak të lehtë.

“Vuçiq, edhe këto ditë po vërehet me tone kërcënuese në drejtim të Kosovës, duke thënë se, po shkoj në Bruksel, me biseda me shqiptarët, dhe besoj se do të kemi mbështetje për të bërë gjëra të mira për vendin tonë, thotë në fjalimin e tij për publikun. Kurti nuk e ka lehtë me palën serbe, që të arrihet një koncensues i mirëfilltë që do t’i pajtojë palët, kur pala e Serbisë, nuk heq dorë nga formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që një projekt i tillë e ka mbështetjen edhe të BE-së, e ndër të tjera, këtë lloj projekti e ka nënshkruar vetë Hashim Thaçi, në bashkëveprim me Isa Mustafën, edhe pse një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse përveç rrjedhojave tjera, lloji i projekteve të tilla do e sjell Kosovën, në një lojë të rrezikshme, që quhet ‘bosnizim’ apo ndarje e veriut, duke marrë statusin e veçantë të autonomisë”, ka shtuar ai.

“Ndërsa, përveç asociacionit të komunave serbe, do të hapën bisedime edhe për kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, të cilat sipas pakos së Ahtisaarit, këto objekte fetare e kanë fituar statusin e zonës së mbrojtur, mu atëherë kur ndodhën trazirat e marsit të vitit 2004, me ç’rast kishat dhe manastiret ortodokse hynë në listën e mbrojtjes së UNESCO-s, që do të thotë se, edhe këtu kemi të bëjmë me një pozicion shumë të rëndë për palën tonë, sepse e gjithë kjo rrethanë është krijuar nga veprimet tona të pa matura, që ndodhën dhe i prodhoi marsi i atyre ditëve të trazirave”, u shpreh ai.

Kurse, sa i përket presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, analisti Preqi mendon se ky i fundit po sjellët jo si një kryetar i një shteti demokratik, i cili duhet të angazhohet për të ardhmen e popullit të vet, që të sigurojë paqen në mes këtij populli me popujt tjerë të rajonit, dhe ndër të tjera, të turpërohet për të kaluarën e Serbisë së dikurshme, por ky po sjellët i njëjtë, me kërcënime dhe shantazhe ndaj shtetit të Kosovës.

“Sikur lufta po fillon tani dhe jo, që ajo ka mbaruar 20 vite më parë. Siç edhe e vëmë re gjithnjë e më tepër, presidenti Vuçiq, kur e komenton deklaratën e ministrit kroat të Mbrojtjes, i cili paralajmëron ndihmë për Forcat Mbrojtëse të Kosovës, ai thotë, Kroacia ka armatë të fortë, por shqiptarët e Kosovës, nuk e kanë atë nivel, por ata e kanë mbrapa Bondstilin, ndërsa ushtria e Serbisë, është më e forta në regjion, prandaj Serbia, me një ekonomi të fortë, do të investojë edhe më shumë në armatën e vet, thotë Vuçiq. Do të thotë se, te Vuçiqi dhe pushteti i tij, vërejmë se Serbia, po armatoset dhe forcohet përditë e më shumë, dhe te kryetari i këtij shteti vërejmë vetëm një lloj urrejtje të shfrenuar ndaj popujve tjerë dhe fqinjëve të vet, që akoma i rri në kokë këtij njerëzimi një demagogji e tillë e mitit serb, për t’i pushtuar dhe për t’i mposhtë të tjerët edhe pse qëndrojnë në tokat dhe pronat e veta stërgjyshore”, ka shpjeguar ai.

Preqi me tej është shprehur se sikurse të mos ekzistojë Bondstili në Kosovë, ky vend dhe ky popull nuk mund të gëzojë të drejtat e veta dhe për të qenë i lirë dhe i qetë në tokën e stërgjyshërve të vet.

“Falë SHBA-ve, dhe aleatëve të saj, kjo Kosovë do të mbetët e tillë dhe e lirë gjithmonë, edhe pse akoma do të kalojë disa sfida, të cilat Kosova, duhet t’i merr edhe si përvojë të jetës së vet”, tha analisti Preqi.

Analisti ripërsërit argumentin se kryeministri Kurti, së bashku me ekipin e tij negociator, do të ketë edhe shumë presione në këto negociata.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk udhëheq me politikat e tilla, që kanë ideologji dhe skenare të rrezikshme për popujt e cilit do vend, duke marrë parasysh se edhe traditat shqiptare nuk janë të një kalibri të tillë, as në gjenet e gjakut të tij nuk ekzistojnë sëmundje të tilla kancerogjike ndaj popujve të tjerë, por gjithmonë kanë jetuar së bashku pa dallime etnike dhe religjioze gjatë gjithë historisë së vet. Kështu edhe Kurti, niset nga këto parime tradicionale, edhe në këto negociata me palën e Serbisë, në Bruksel, do të ketë qëndrime të pa lëkundshme, të huajën nuk e dëshirojmë dhe tonën nuk e japim”, ka potencuar Preqi.

Sipas analistit Preqi, kryeministri Kurti, në agjendën e tij do të ketë edhe shumë tema të tjera, që janë shumë prekëse dhe të tmerrshme për popullatën e Kosovës.

“Janë edhe më shumë se 1600 njerëz të pa gjetur, të cilët i ka masakruar Serbia, gjatë luftës dhe kufomat e tyre i ka fshehur, por jo edhe gjurmët e tyre, për të cilat duhet të ketë njohuri edhe Vuçiqi me bashkë gjakatarët e tij se ku e kanë adresën. Nuk duhet të anashkalohen, përveç dëmeve të shkaktuar në njerëz, që janë më shumë se 15 mijë viktima, e ndër ta, edhe 1534 fëmijë, janë më se 20 mijë femra shqiptare të dhunuara nga paramilitarët dhe ushtria serbe, janë me qindra e mija objekte të shkatërruara dhe të djegura, ndër to edhe shumë objekte kulti, kulture dhe arsimore, janë edhe me qindra e mija dokumente kadastrale të vjedhura, janë edhe me qindra e mija artefakte dhe kulturore të grabitura dhe shumë e shumë të tjera, për të cilat duhet të përgjigjet Serbia, për të gjet një dialog dhe marrëveshje me palën shqiptare, poashtu edhe për të ardhë deri te një njohje e ndërsjellë mes këtyre dy vendeve”, ka nënvizuar ai.

Krejt në fund, ai ka theksuar se kryeministri Kurti, qeveria dhe populli i Kosovës, kanë material të bollshëm dhe dëshmi të mjaftueshme, që të paraqesin argumente para Gjykatës Ndërkombëtare, për gjitha të bëmat dhe masakrat e Serbisë fashiste deri në gjenocid, ndaj një populli më të pafajshëm.

“Me Qeverinë Kurti, është një synim i përbashkët, që me gjitha forcat politike të Kosovës, një proces i tillë mes Kosovës dhe Serbisë, do e arrin edhe finalen e vet, edhe pse ndoshta do të bëhet një kompromis i dhimbshëm për njërën palë, që është ajo shqiptare, për shkak të presioneve nga BE-ja, dhe SHBA-të, duhet të lëshohet pe, por jo edhe shkëmbim territoresh”, tha krejt në fund, analisti politik, Dedë Preqi.